Analisti politik, Blerim Latifi ka reaguar lidhur me ftesën që bashkësia e Korçës ia bëri këngëtarit serb Goran Bregoviç, për Festën e Birrës.
Ai tregoi rastin se si polakët vite më parë ia kishin anular festivalin Bregoviçit, shkaku që ky i fundit kishte mbështetur aneksimin e Krimesë nga Rusia.
“Por polakët nuk janë shqiptarë. Ata e respektojnë të kaluarën e tyre, e cila është e mbushur me vuajtje të shkaktuara nga agresionet e vazhdueshme ruse”, shkroi Latifi në Facebook, percjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Polakët në vitin 2015 Bregoviçit ia paskan anulu pjesëmarrjen në një festival në Poloni, pasiqë ky tipi, gjatë një shfaqje në Krime, e paska mbështetë aneksimin e saj nga Rusia dhe e paska akuzu Perëndimin për politikë paranojake ndaj Rusisë.
Thënë shkurt dhe qartë: Ti s'mundesh me ba shfaqje në tokën polake, derisa ke pikëpamje politike që bijnë në kundërshtim me interesat kombëtare të Polonisë.
Por polakët nuk janë shqiptarë. Ata e respektojnë të kaluarën e tyre, e cila është e mbushur me vuajtje të shkaktuara nga agresionet e vazhdueshme ruse.
Tani po më kujtohet poezia "Rusia depërton në Poloni" e njërit prej poetëve më të mëdhenj polakë, Adam Zagajewski. Është një poezi që shpreh aq fuqishëm tragjedinë e një kombi të vogël kur shkelet nga një fuqi e madhe.