​Kosova përkujton dhe nderon viktimat e 11 Shtatorit

Aktuale

​Kosova përkujton dhe nderon viktimat e 11 Shtatorit

Më: 11 shtator 2021 Në ora: 14:20
Garda e Policisë së Kosovës e ka ulur në gjysmështizë flamurin te shtatorja e presidentit Bill Clinton.

Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka organizuar disa aktivitete në nderim të viktimave të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishin humbur jetën më shumë se 3 mijë qytetarë nga sulmi i organizatës terroriste Al Qaeda, mbi Kullat Binjake në New York si dhe sulmin mbi Pentagon.

Për të nderuar viktimat e këtij sulmi që tronditi botën, zjarrfikësit dhe emergjenca kanë defiluar me sinjalizime të ndezura. Ndërsa, Garda e Policisë së Kosovës e ka ulur në gjysmështizë flamurin te shtatorja e presidentit Bill Clinton.

Kimberly Riffe - koordinatore e ICITAP dhe atashe e ambasadës amerikane thotë se ajo ka qenë njëra nder ditët më të errëta.

Kimberly: Ajo ditë nuk do të harrohet kurrë

“Ajo ditë nuk do të harrohet kurrë. Unë jam një shefe policie në pension, një kapitene policie në shërbim më 11 shtator 2001, atë ditë e mbaj mend shumë mirë, derisa po shkoja në punë me makinë, në radio dëgjova se një aeroplan ka sulmuar një nga Kullat Binjake. Derisa mbërrita në departament dhe hapa kompjuterin tim, një aeroplan tjetër sulmoi kullën e dytë, shumë prej nesh u mblodhëm rreth ekranit të kompjuterit duke vështruar dhe duke mos besuar çfarë po ndodhte, pastaj u kthyem kah siguria, dhe mendonim se çfarë veprimi duhet të ndërmarrim për të mbrojtur qytetarët tanë,” ka thënë ajo.

Ndërsa ka falënderuar Kosovën dhe popullin shqiptar, zyrtarja amerikane thotë se miq të tillë ua lehtësojnë dukshëm dhimbjen.

Kurse Agim Rexhepi, kryetar i shoqatës "Miqtë e Amerikës”, tha se në këtë përvjetor respektuan viktimat, familjet e tyre dhe të gjitha institucionet amerikane.

Rexhepi: I respektuam viktimat dhe institucionet amerikane

“Ky veprim ishte me një simbolikë të hatashme, përpos që i respektuam viktimat, përpos që i respektuam familjarët, përpos që i respektim institucionet amerikane, pjesëtarët e gardës tonë ishin me armë, ky ishte mesazhi që këta pjesëtarë tonë këtë ushtri që e kemi themelua, policët që i kemi themelua këta pjesëtarë dhe pjesëtarët tjerë do ta mbrojnë cep më cep pjesën e territorit tonë,” ka deklaruar ai.

Në kuadër të aktiviteteve në nderim të viktimave të sulmit terrorist mbi ShBA-në, u hap edhe një ekspozitë në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Kosovës me fotografi që lidhet me ngjarjet e 11 shtatorit në SHBA, dhe aktivitetet e zhvilluara nga shoqata “Miqtë e Amerikës” gjatë viteve.

Gjatë ditës edhe krerët e shtetit, presidentja Osmani, kryekuvendari Konjufca dhe kryeministri Kurti, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurorë me lule tek pllaka përkujtimore “Kosova kujton”, me rastin e 20- vjetorit të sulmeve terroriste në SHBA.

Sulmi ndaj kullave binjake ishte kryer me 11 shtator 2001 nga një grup prej 19 vetash rrëmbyes radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Fillimisht njëri aeroplan i rrëmbyer ishte përplasur mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr kurse 17 minuta më vonë, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore. Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona.

Në mesin e viktimave në kullat binjake ishin 2.752 persona prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civilë të 70 kombësive të ndryshme. Ceremonitë në Nju Jork dhe Uashington do të nisin me një minutë heshtje, në kohën kur ndodhën sulmet. Ekspertët shprehen se 11 shtatori 2001, ndryshoi shumë gjëra në botë. Këto ngjarje u bënë shkak për nisjen e një fushate të gjerë të udhëhequr nga SHBA-të kundër terrorizmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat