Arben Vitia tregon detaje të reja për masat anti covid

Aktuale

Arben Vitia tregon detaje të reja për masat anti covid

Më: 23 shtator 2021 Në ora: 17:49

(E plotësuar 18:13) -Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani, tha se ka rënie të rasteve të reja me COVID-19 për 75 për qind në dy javët e fundit.

Në një konferencë për media së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, Ramadani tha se situata është ende jostabile për shkak se trendi i vdekjeve është akoma brengosës.

Sipas tij, numri i vdekjeve është ulur në 38.64 për qind gjatë kësaj periudhe kohore.

“Kemi rënie të rasteve për 75%, megjithatë duhet të kemi parasysh se situate është ende jostabile, pasi trendi rasteve të vdekjeve është akoma brengosës. Vdekjet janë akoma shqetësues dhe duhet të kemi kujdes me hospitalizimin e hershëm të pacientëve për të ulur këtë trend”, tha ai.

Kurse, në këtë konferencë, minsitri i Shëndetësisë prezantoi masat e reja anti-COVID’19, sipas të cilave shkollat dhe çerdhet e nisin punën nga dita e hënë, 27 shtator 2021.

Po ashtu, Vitia tha se nga kjo ditë gastronomia do të zhvillojë aktivitetin e saj edhe në hapësira të brendshme.

***

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar për masat e reja kundër Covid-19, në Kosovë.

Vitia tha se në koordinimin me ministritë e linjës dhe me institucionet përkatëse shëndetësore kanë vendosur për masa të reja në vend, nga e hëna e javës së ardhshme.

Nga rekomandimet e dy javëve paraprake kemi pasur shumë takime dhe diskutime për masat e reja që do të hyjnë në fuqi nga data 27 shtator, pra nga e hëna e ardhshme. Sot kemi marrë edhe rekomandimet e fundit nga IKSHPK-ja, për këto masa”, ka thënë Vitia.

Ndër të tjera, Vitia deklaroi se tashmë në të gjitha institucionet publike dhe private që punojnë me palë, do të kërkohet certifikata e vaksinimit apo testet përkatëse që dëshmojnë që punonjësi nuk është i infektuar me Covid-19.

Ashtu siç kemi paralajmëruar tani nga institucionet shtetërore dhe një mori e institucioneve private do të kërkohet që të paraqesin certifikatën e vaksinimit, apo testeve përkatëse para hyrjes në objektet ku operojnë. Kjo vlen për aktivitete si qendra tregtare, call center, gastronomia në ambientet e brendshme dhe të gjithë punonjësit në institucionet publike dhe private që punojnë me palë".

Ministri Vitia njoftoi se do të hapen edhe shkollat dhe çerdhet.

Shkollat dhe çerdhet do të fillojnë punën nga dita e hënë. Maksimumi i nxënësve të ledhuar në klasë do të jetë 20. Aktivitetet  sportive mund të kenë prani të shikuesve deri në 10 përqind të kapaciteteve, duke pasur certifikatën e vaksinimit ose një nga 3 dëshmitë alternative; pra testin PCR, serologjik ose testin rapid antigjen. Në ambientet e jashtme deri në 30 përqind të kapaciteteve”, ka thënë Vitia.

Vitia tha se këto masa do të votohen nesër në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 133 raste me Coronavirus.

Edhe drejtori i shërbimit spitalor universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se gjendja në spitale ka shënuar hapa para, pra është shumë e qetë, por sërish duhet të jemi vigjilentë.

Krasniqi ka ftuar të gjithë qytetarët pa dallim që të vaksinohen, si e vetmja formë për ta kaluar pandeminë dhe për t’i evituar valët e reja potenciale.

“Ju ftoj të gjithëve që të vaksinoheni, pasi është e vetmja formë për ta tejkaluar këtë situatë. Gjendja në spitale është dukshëm më e mirë sesa që kishte qenë, por ky rezultat i tanishëm ka ardhur si pasojë e respektimit rigoroz të masave dhe vaksinimit”, tha tutje Krasniqi në konferencën e përbashkët për media me ministrin Vitia dhe Naser Ramadanin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat