Situata në veri/ Flasin Abdixhiku dhe Krasniqi, tregojnë detaje nga takimi me kryeministrin Kurti

Aktuale

Situata në veri/ Flasin Abdixhiku dhe Krasniqi, tregojnë detaje nga takimi me kryeministrin Kurti

Më: 26 shtator 2021 Në ora: 10:26
Foto nga takimi

(E plotësuar 13:17) - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Lidhur se për çfarë kanë biseduar në këtë takim, Abdixhiku ka bërë një postim në Facebook.

Ai ka treguar se i ka bërë dy kërkesa Kurtit lidhur më situatën e krijuar në veri.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Pas propozimit tonë të djeshëm dhe ftesës së Kryeministrit, sot në mëngjes, së bashku me Kryetarin e PDK-së z. Krasniqi, u takuam me Kryeministrin Kurti.

Në takim, shpreha shqetësimet tona për gjendjen e krijuar në Veri. Dhashë mbështetje për shtrirjen e ligjshmërisë në vend dhe për punën e Policisë tonë atje. Në kohë si këto, uniteti ynë është esencial.

Njëkohësisht kërkova qartësime shtesë për rrugën tonë përpara, qartësime që duhet të na vijnë sa më parë. Kosova nuk e ka luksin të durojë tensionet në territorin e vet.

Kryeministrit Kurti i kërkova poashtu koordinim të plotë me aleatët tanë; në veçanti me SHBA-të dhe BE-në. Është përgjegjësi e detyrim i tij dhe Qeverisë që koordinimi të bëhet menjëherë.

Krasniqi i kërkon Kurtit koordinim me partnerët ndërkombëtar për menaxhimin e situatës në veri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se ka kërkuar nga kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve dhe zyrtarëve tjerë të Republikës së Kosovës, si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim.

Krasniqi ka shkruar në Facebook se nga kryeministri Kurti u informua për gjendjen aktuale në veri, si dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme, në zbatimin e vendimit për reciprocitet me targa.

“Së bashku me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, sot kam takuar kryeministrin Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit. Nga kryeministri Kurti u informuam për gjendjen aktuale në veri, si dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme, në zbatimin e vendimit për reciprocitet me targa. Kërkova nga Kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve dhe zyrtarëve tjerë të Republikës së Kosovës, si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim.

Njëkohësisht, përballë kësaj situate dhe për menaxhimin efikas të saj, kërkova që të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në, BE-në dhe KFOR-in. Zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është obligim kushtetues. Në ushtrimin e sovranitetit tonë kushtetues, organet e rendit dhe ligjit duhet ta kenë përkrahjen e të gjithëve”, ka shkruar ai.

***

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë i ka ftuar liderët e subjekteve opozitare në Kuvend, dhe sot në mëngjes ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Sipas një komunikate të Qeverisë, takimi i sotëm është zhvilluar me qëllim të njoftimit të partive opozitare për gjendjen e sigurisë në vend, në veçanti në veri të Kosovës.

“U bisedua për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Krerët opozitarë Krasniqi dhe Abdixhiku shprehën mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit tonë. Ata po ashtu theksuan mbështetjen për Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore”, thuhet në njoftim.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përfunduar takimin me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ky takim vjen pas tensionimit të situatës në veri të vendit, pas vendosjes së reciprocitetit me Serbinë për çështjen e targave.

Të dy liderët e opozitës nuk kanë dashur të flasin për media pas takimit. Ndërkohë, në Qeveri thonë se lidhur me takimin do t’i informojmë mediat dhe publikun nëpërmjet një komunikate.

Ndërkohë, në takim me Kurtin posa ka hyrë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Image
Image

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar në takim liderët e partive opozitare në vend.

Takimi i thirrur nga Kurti vie pas situatës së krijuar në veri të vendit.

Vendosja e reciprocitetit me Serbinë dhe kërkesa që secili automjet që hynë nga Serbia në Kosovë të pajiset me targa të përkohshme bëri që serbët në Jarinje e Bërnjak të protestojnë kundër këtij vendimi.

Të njëjtit prej shtatë ditësh kanë vendosur barrikada të ndryshme në këto dy pika kufitare ndërsa qëndrojnë ditë e natë duke brohoritur e kënduar këngë nacionaliste serbe.

Përpos kësaj, në Zubin Potok e Zveçan dje pati edhe dy incidente me zjarr ku u dogjën qendrat per regjistrim të automjeteve.

Takimi i Kurtit me të parin e PDK-së, Memli Krasniqi, atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj ka filluar në ora 10:00 ndërsa po zhvillohet brenda objektit të Qeverisë së Kosovës.

Për situatën në veri pati reagime të shumta edhe nga ambasadat e huaja në Kosovë, të cilët kërkuan ulje të tensioneve nga të dy vendet.

Presidentja, Vjosa Osmani anuloi dje vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara në Amerikë për t’u kthyer në Kosovë shkaku i tensioneve në veri.

***

Tensionimi i situatës në veri të vendit, pas vendosjes së reciprocitetit me Serbinë për çështjen e targave, do të mbledh sot në takim kryeministrin Albin Kurti dhe liderët e partive opozitare.

Ky takim do të mbahet sot gjatë ditës në Zyrën e Kryeministrit, ku do të diskutohet për çështjen e sigurisë në vend, pas situatës së krijuar në veri.

Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media, të shtunën tha se Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar që rrezikon të marrë përmasa rajonale.

“Serbia qartazi dëshiron të militarizojë dhe të e eskalojë situatën. Po sjell deri afër kufirit të Kosovës edhe helikopterë e avionë të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve, provokimeve ku përdoren qytetarët e Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marrë përmasa rajonale”, tha Kurti.

Sipas shefit të ekzekutivit, vendimet që do të ndërmerren karshi situatës së krijuar do të jenë në përputhje e me vlerësimet që i bëhen situatës së sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat