​Përurohet fabrika në Stanoc të Epërm, Tahiri: Duhet të kërkojnë falje ata që e kundërshtuan

Aktuale

​Përurohet fabrika në Stanoc të Epërm, Tahiri: Duhet të kërkojnë falje ata që e kundërshtuan

Më: 14 tetor 2021 Në ora: 19:51
Xhafer Tahiri

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka përuruar sot fabrikën e tekstilit në fshatin Stanoc i Epërm, në të cilën do të punësohen 60 gra të këtij lokaliteti.

Ndërtimi i kësaj fabrike është bërë në bashkëpunim në mes Komunës së Vushtrrisë dhe firmës “VITEX” ku është nënshkruar marrëveshja për dhënie në shfrytëzim objektit të vjetër të ish-shkollës “Migjeni”, me qëllim të punësimit të grave në këtë lokalitet.

Me rastin e përurimit të kësaj fabrike, Tahiri tha se është i lumtur që po u ofrojnë grave një mundësi për punësim.

Tahiri: Një mundësi e jashtëzakonshme për të ulur papunësinë

"Sonte është një lajm tepër i mirë për Stanocin e Epërm, dua të falënderoj kompaninë "VITEX" të cilët i kanë qëndruar marrëveshjes me komunën e Vushtrrisë dhe e kanë rinovuar tërësisht ish-objektin e shkollës, i cili siç po e shohim të gjithë është shndërruar në një vend ku do të punësohen deri në 60 gra. Më vjen shumë mirë që ky angazhim i përbashkët i yni në interes të punësimit të grave po realizohet dhe u realizuan në këtë formë kaq të bukur. Unë dua të uroj të gjithë banorët e Stanocit të Epërm, dua të uroj të gjitha ato gra që do të punojnë këtu, sepse është një mundësi e jashtëzakonshme për të ulur papunësinë e lartë që e kemi te gratë", tha Tahiri.

I pari i Vushtrrisë ka folur edhe protestat që ishin organizuar për të kundërshtuar ndërtimin e kësaj fabrike, e të cilët tha se duhet të kërkojnë falje para banorëve të këtij fshati.

Tahiri: Skeptikët u bindën se investimi ishte i drejtë

"Më vjen shumë mirë që sot janë banorët e Stanocit këtu dhe po e mirëpresin këtë investim kaq të rëndësishëm dhe po ashtu më vjen mirë që të gjithë skeptikët u bindën që ky investim është i drejtë, i duhuri dhe i domosdoshmi. Besoj shumë sonte ata që e kundërshtuan për qëllime personale e individuale do të duhej të dalin dhe të kërkojnë falje para banorëve të Stanocit të Epërm për shkak se krejt Kosova pa protestat e paarsyeshme të tyre. Vërtet, sot është një mrekulli çfarë ka ndodhur në ish-objektin e shkollës në këtë punëtori ku do të kemi punësim, zhvillim e mbi të gjitha do t'iu japim shansin grave të këtij rajoni që të punojnë e me paratë e tyre të shkollojnë fëmijët e tyre", u shpreh ai.

Tahiri tha se si komunë do të vazhdojnë të jenë pas secilin që krijon vende të reja të punës.

Menaxheri i fabrikës “VITEX”, Xhelal Ismajli, ka falënderuar Komunën e Vushtrrisë për mbështetjen që i ka dhënë, derisa tregoi se çka do të prodhohet në këtë fabrikë.

Ismajli: Planifikojmë që t'i punësojmë rreth 60 gra

"Planifikojmë që t'i punësojmë rreth 60 gra vitin e parë, këtu do të kemi edhe me porosi, por edhe prodhime të firmës, të cilat ne i bëjmë të gatshme. Lusim ato gra që dinë të punojnë edhe që nuk dinë do të trajnohen, do t'i aftësojmë ", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat