“Është në burg për atdhe”, kështu flet babai i Thaçit

Aktuale

“Është në burg për atdhe”, kështu flet babai i Thaçit

Më: 5 nëntor 2021 Në ora: 20:16
Hashim Thaçi dhe babai i tij

Tash e një vit i biri i tij së bashku me bashkëluftëtarët e tij po mbahen në paraburgim në Hagë, e pavarësisht kësaj, Haxhi Thaçi, babai i Hashim Thaçit, nuk humb shpresat se ata do të kthehen faqebardhë në atdhe.

“Jena mërzit boll, jemi mërzit boll për të. Unë mendoj se do të lirohet së shpejti sepse janë të pafajshëm tanë. Të fortë janë kanë edhe kanë me kanë. Ku të qëllojnë ata kanë me kanë të fortë”, tha  ai.

Thekson se lufta dhe gjithë veprimtaria e djalit të tij e bën të ndihet krenar.

“Është në burg për këtë Atdhe”, theksoi Haxhi Thaçi.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë paraqitjes së tij të parë në Hagë, ishte deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritur nga Dhomat e Specializuara.

Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore “dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat