Sot në Bruksel vazhdon dialogu Kosovë-Serbi

Aktuale

Sot në Bruksel vazhdon dialogu Kosovë-Serbi

Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 07:30
Foto ilustrim

(E plotësuar 10:29) - Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka takuar sot në Bruksel përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në kuadër të rundit të ri të dialogut në nivel ekspertësh.

Pas bisedimeve dypalëshe ndërmjet Petkoviqit dhe Lajçkut, një delegacion i ekspertëve serbë do të bisedojë me ndërmjetësit e BE-së për dialogun.

Takime të veçanta të delegacionit të Kosovës dhe ndërmjetësuesve të BE-së janë caktuar nga ora 11:00 deri në 12:00.

Siç u tha për Tanjug në Bruksel, pas përfundimit të bisedimeve dypalëshe do të merret vesh nëse përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë do të ulen së bashku në tavolinë dhe se se çfarë do të jetë në agjendën e bisedimeve të sotme.

Sipas raportimit të mediave serbe, delegacioni i Beogradit u nis për Bruksel me qëllimin që në diskutim të kenë prioritet krijimin e Asocacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

***

Sot mbahet takimi i ardhshëm në Bruksel në nivel kryenegociatorësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ndërsa ai i Serbisë nga Petar Petkoviq.

Përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës nga ora 11:00 do të kenë bisedime bilaterale me diplomatin sllovak Miroslav Lajçak. Ndërsa delegacioni serb me Lajçak do të takohet në orën 9.30.

Nuk dihet se çfarë do të jetë në rendin e ditës dhe nëse pas bisedimeve dypalëshe do të mbahet një takim trepalësh i dy delegacioneve me ndërmjetësuesit e BE-së.

Ndryshe, ministrat e Jashtëm të BE-së thanë në mbledhjen e Këshillit të BE-së të mbajtur sot në Bruksel se marrëveshjet e pazbatuara dhe detyrimet e paplotësuara nga marrëveshjet e mëparshme do të jenë në fokus të vazhdimit të dialogut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat