Cakolli reagon pas humbjes së mandatit nga Todosijeviq: Është paradoksale si si ai vazhdon të jetë deputet

Aktuale

Cakolli reagon pas humbjes së mandatit nga Todosijeviq: Është paradoksale si si ai vazhdon të jetë deputet

Nga: M.L. Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 16:12
Eugen Cakolli

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori sot vendim për zëvendësimin e kandidatit të subjektit politik, Serpska Lista, Ivan Todosijeviq, i cili ishte certifikuar si asamblist i zgjedhur për Kuvendin Komunal të Zveçanit.

Ky vendim i KQZ-së, për zëvendësim, vjen pasi Todosijeviq është dënuar me vendim të formës së prerë për vepër penale.

Ivan Todosijeviq është zyrtarisht edhe deputet në Kuvendin e Kosovës.

Lidhur me këtë ka reaguar Eugen Cakolli, i cili e ka quajtur paradoksal faktin që Todosijeviq humbi mandatin si asambleist, ndërsa vazhdon të jetë deputet në Kuvend.

“Është paradoksale se si Ivan Todosijeviq sot ka humbur mandatin si anëtar i zgjedhur i kuvendit komunal të Zveçanit, për shkak të dënimit të formës së prerë me burgim prej dy vitesh, e në anën tjetër ai vijon të jetë zyrtarisht ende deputet i Kuvendit të Kosovës - si rezultat i mungesës së ndërveprimit institucional mes Kryetarit të Kuvendit, Presidentes dhe KQZ-së për zëvendësimin e tij”, shprehet Cakolli.

Sipas tij, ky rast shpërfaq të meta serioze në garantimin e ligjshmërisë dhe integritetit të veprimtarisë parlamentare.

“Pra, sipas kësaj logjike, nuk mund të jesh anëtar i kuvendit komunal kur je i dënuar, por si i tillë mund të jesh deputet në institucionin më të lartë vendimmarrës në vend. Kjo është e papranueshme dhe, siç ka konstatuar Gjykata Kushtetuese, edhe një herë shpërfaq të meta serioze në garantimin e ligjshmërisë dhe integritetit të veprimtarisë parlamentare”, shprehet ai.

Ndryshe, neni 29 i ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, pika Q, specifikon se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është i dënuar me vendim të formës së prerë për vepër penale gjatë tri viteve të fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat