“Do të shihni se kush jam unë kur t’i hiqni uniformat”, dënohet me burgim efektiv qytetari që kanosi policët

Aktuale

“Do të shihni se kush jam unë kur t’i hiqni uniformat”, dënohet me burgim efektiv qytetari që kanosi policët

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 15:11
Policia e Kosovës

Gjykata Themelore në Mitrovicë të hënën e ka shpallur fajtor R.T dhe të njëjtin e ka dënuar me 6 muaj burg efektiv për kanosje ndaj tre zyrtarëve policor.

Aktgjykimi ndaj R.T u shpall të hënën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, nga gjykatësi Gëzim Ademi.

Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 50 euro, si dhe shumën prej 30 euro për fondin e kompenzimin e viktimave të krimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në shtator të vitit të kaluar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, R.T ngarkohej se më 18 shtator 2019, në Mitrovicë, në rrugën “300 Dëshmorët e vitit 1903” me fjalë, në mënyrë serioze, ka kanosur personat zyrtarë.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri  kishte kanosur patrullën policore në përbërje prej Ajet Beqirit, Faton Azemit dhe Fahredin Merovcit, të cilët kanë shkuar deri të firma e tij për ta shoqëruar të njëjtin në stacionin policor, lidhur me një ankesë të cilën kanë pasur kundër tij.

Tutje thuhet se i njëjti nuk veproi sipas urdhrave policore dhe i kanosi me fjalët “do të shihni ju se kush jam unë kur t’i hiqni uniformat”, gjë e cila te pjesëtarët e policisë ka shkaktuar frikë dhe shqetësim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri me këtë kishte kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 par. 3 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat