Si i plagosi Ramushi dhe Togeri dy ushtarët e Tahir Zemajt/ I rrahën dhe i detyruan të zhveshur të kthehen në fshat

Aktuale

Si i plagosi Ramushi dhe Togeri dy ushtarët e Tahir Zemajt/ I rrahën dhe i detyruan të zhveshur të kthehen në fshat

Nga: Idriz Morina Më: 26 dhjetor 2021 Në ora: 20:02
Ramush Haradinaj, para shumë viteve duke nisur një udhëtim të vështirë!

Një rast i pambyllur nga drejtësia vendore dhe dnërkombëtare është ai i plagosjes së dy ushtarëve të kolonelit Tahir Zemaj, përkatësisht të brigadës që ai e komandonte, nga njerëz dhe, sipas dëshmive nga vetë Ramush Haradinaj.

Pak njerëz kanë folur për këtë rast, por nuk ka shpëtuar pa u vënë në dije opinioni shqiptar.

Disa zëra nuk kanë pushuar kurrë së thëni të vërtetën. Në pak raste Ramush Haradinajt si komandant i Zonës së Dukagjinit, ia kanë kujtuar në ndonjë fushatë ose në ndonjë rast thjesht më pak dramatik.

Por, kur i lexoni sot dëshmitë e bëra publike nga dëshmitarë të kohës, zyrtarë të shtetit të Kosovës, siç ishin eprorët ushtarak të luftës, që madje paguheshin nga Qeveria e Kosovës, institucionet e drejtësisë nuk kanë bërë asnjë hap për zbulimin e tyre.

Viktimat e dhunës, agresivitetit të pashembullt, dhe zbatimin të urdhërave kundër bashkimit të shqiptarëve për luftë të përbashkët.

Ishte vala e përpjekjeve për bashkim. Ministria e Mbrojtjes me Ahmet Krasniqin, i kishte futur tri brigada me ushtarë të stërvitur dhe dhjetëra eprorë ushtarak, në Kosovë.

Dy ushtarë i plagosin

Ndërkohë, që bisedat vazhdonin, Ramushi nuk heziton aspak ta shkaktojë një incident të rëndë, që mund të çonte lehtësisht në konflikt vëllavrasës.

Image
Faksimili i raportit ushtarak Zemaj-Ramabaja, i botuar në librin "E vërteta për FARK-un"

 

Ky incidentë është dhënë i plotë nga ushtaraku Agim Mehmeti, zëvendësi i ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqit.

"Ishte data 4 apo 5 korrik", thotë eprori Nazif Ramabaja, për “Bota sot”.

Ishin 4 ushtarë të cilet Tahiri i kishte dërguar për të marrë armatim, duke kaluar nëpër Gllogjan të Deçanit ku e kishte Ramushi shtabin. I ndalojnë dhe i dërgojnë në Shtabin e tyre. Ndalesën e bën Idriz Balaj “Togeri”, aty thuhet se Ismet Çekajt i thotë Ramushi ti je i lirë, por kur dalin nga dera e Shtabit i fillojnë kërcënimet, maltretimet verbale dhe fizike ndaj: Ismat Çekajt, Idriz Ukhaxhajt, Petrit Lokajt dhe Azem Gashit. Ismeti plagoset me armë zjarri në kraharorin e djathtë dhe një tjetër në këmbë, thuhet se vet Ramushi ka shti me armë zjarri”, thotë Ramabaja.

Më tej vazhdon skandali poshtërues. “Ua marin veturën, të hollat, i zhveshin në brekë dhe “Togeri” duke e drejtuar një makinë mbrapa tyre i përcjell deri në Irzniq.

Ndërsa, në librin “Kështu foli Tahir Zemaj”, shkruan se urdhërin e kishte dhënë Zemaj, që 4 ushtarët të pranimit të armatimit që kishte ardhur nga Shqipëria, por rrugës për atje, ndalohen në fshatin Irzniq nga “Togeri” i famshëm.

“Me 4 korrik 1998 urdhërova që ushtarët Ismet Çeku, Idriz Ukhaxhaj, Petrit Lokaj dhe Azem Gashi të kryenin detyrën e pranimit që erdhi nga Shqipëria në fshatin Pacaj. Gjatë rrugës, në fshatin Irzniq kanë hasur në pengesa nga një njësit i UÇK-së, i komanduar nga një person me pseudonimin “Toger”.

Ata në vend që të lejoheshin për marrjen e armatimit, i kishin dërguar në Shtabin e Ramushit në Gllogjan.

Ne ishim të njohur me atë pseudonim dhe atë person. Sipas dëshmive të ushtarëve, ata janë urdhëruar të paraqiten në shtabin e UÇK-së në Gllogjan. Aty, Ismet Çeku ka deklaruar se Haradinaj e ka pritur mirë duke i thënë se “ti nuk ke nevojë për leje dhe mund të vazhdosh rrugën bashkë me luftëtarët e tjerë”, por sapo ka dalë, ka filluar një ngatërresë, gjatë së cilës dy ushtarë janë plagosur me armë zjarri, ndërsa dy të tjerët janë lënduar nga dhunimi fizik”.

Pjesëmarrës në plagosje edhe Ramushi

Sipas pohimeve të vetë ushtarëve, në atë dhunë ka marrë pjesë edhe vet Ramush Haradinaj, madje bashkë me vëllain Dautin.

“Ushtarët kanë deklaruar se në aktin e plagosjes ka marrë pjesë edhe vet Ramush Haredinaj. Fillimisht ushtarët janë goditur me sende të forta nga “Togeri”, por edhe nga Ramushi bashkë me vëllain e vet. Më pas luftëtarët janë detyruar nga këta persona të largohen nga Gllogjani dhe të kthehen në drejtim të Isniqit. Ata janë zhveshur dhe detyruar të ecin para një makine që i ndiqte nga prapa, makinë të cilën e ngiste “Togeri”. Në Isniq kanë mbërritur rreth orës 22.00, pas pak ka mbërritur edhe Ismet Çeku i plagosur në krah të djathtë me armë zjarri, Azem Gashi në këmbën e djathtë po me armë zjarri, Idriz Ukëhaxhaj i lënduar në pjesën e prapme të kokës, Petrit Lokaj me lëndime më të lehta”, thuhet në dëshminë e Tahir Zemajt.

Ata nuk ishin mjaftuar vetëm me dhunën fizike, por edhe i kishin sharë e fyer.

Në deklaratat e tyre thuhet se sulmuesit i kanë fyer rëndë dhe se gjatë kohës kanë përdorur shprehje ofenduese në drejtim të Institucioneve të Republikës së Kosovës. Menjëherë, bashkë me disa bashkëpuntorë, jam nisur për në Gllogjan për të sqaruar ngjarjen. Në bisedë me Ramushin, ai ka kërkuar falje dhe i ka arsyetuar ato veprime si një gabim, që kishte rrjedhë nga disa sjellje të luftëtarëve – krejtësisht një gjë e paqartë”.

Nga katër ushtarët, i plagosur më rëndë ishte Çeku

Pas udhëtimit të mundimshëm, lëndimeve dhe plagëve, dhe nga turpi duke ecur thuaja lakuriq (në brekë). Ata arrijnë në qendrën e përkohshme ushtarake.

Mëbrrijnë të gjakosur, fillimisht tre prej tyre, dhe më pas arrin edhe i plagosuri më rëndë, Çeku. Duhet saktësuar edhe njëherë se luftëtarët kanë mbërritur në Isniq të zhveshur, të gjakosur, pa automjetin, pa paratë që kishin marrë me vete, para personale. Më vonë, Ramushi m’i ktheu rrobat e ushtarëve, por jo paratë, automietin dhe armatimet. Ky incident, kaq i rëndë, ra në sy për shumë keq në të gjithë Rrafshin e Dukagjinit, madje ka shkaktuar një tronditje shumë të madhe. Personalisht kam qenë tepër i fyer, i lënduar nga ky incident. Në mendimet e mia vinin gjithfarë idesh, por një s’e kam lejuar kurrë t’i afrohet mendjes time: kundërpërgjigjen me forcë! Kam pasur mundësi dhe forca të mjaftueshme për t’u përballur me ta, por i isha betuar vetvetes, që forcat e mia do të përdoreshin vetëm për luftë kundër okupatorit”, thuhet në dëshminë e Tahir Zemajt në librin e përmendur.

Por, sot Tahir Zemaj, nuk jeton sikurse dhe shumë të tjerë, viktima të dhunës së pashembullt dhe të pashpjegueshme, që dikush i mësonte shqiptarët kë të vrisnin.

Vërtetësinë e këtyre pohimeve të Zemajt, i përforcon, zëvendësi i Tahir Zemajt, majori Nazif Ramabaja, i cili ishte edhe njëri komandues në “Betejën e Loxhës”, që do të ndodhte vetëm një ditë më pas, e Ramush Haradinaj, as që do të dukej.

Raporti për Ministrinë e Mbrojtjes

Pas këtij incidenti që la pasoja të rënda traumatike për ushtarët Petrit Lokaj, Idriz Ukëhaxhaj dhe Ismet Qekaj, është përpiluar raporti ditor nga komandanti Tahir Zemaj dhe ju ka përcjell Ministrit të Mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqit, raporti ekziston në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes”, dëshmon Ramabaja.

Këtë raport, e ka botuar eprori ushtarak, ish zv.ministri i Mbrojtjes Agim Mehmeti, tani i ndjerë, në librin e tij “E vërteta për FARK-un”, në faqe 130.

Sipas asaj që deklaron Ramabaja, katër ushtarët ishin dërguar të lidhur në shtabin e fshatit Gllogjan të Deçanit. “Ushtarët Petrit Lokaj (tani pjesëtar i policisë së Kosovës), Idriz Ukëhaxhaj, Azem Gashi dhe Ismet Qekaj të cilët u ndaluan, maltretuan, rrahur, plaçkitur nga pjesëtarët e njësitit famkeq “Shqiponjat e zeza” nën komandën e Idriz balajt “Togerit” komandant i njësitit, ndërsa ushtari Ismet Qekaj i cili ka qenë edhe pjesë e “Grupit gueril” të Sali Çekajt të cilët ishin dërguar në ushtrimet e para në Shqipëri më 1991, Ismeti është plagosur me armë zjarri nga vet Ramush Haradinaj në krahun e djathtë”, thotë Ramabaja.

As Ramushi dhe as vëllai i tij Dauti, kurrë nuk kanë kërkuar falje për këtë incident, dhe as nuk kanë dëshmuar se kush i motivonte të silleshin ashtu!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat