“Ka politikanë të korruptuar që duhet të shkojnë në burg”, gazetari i medias gjermane vjen me paralajmërimin për koalicione mes partive

Aktuale

“Ka politikanë të korruptuar që duhet të shkojnë në burg”, gazetari i medias gjermane vjen me paralajmërimin për koalicione mes partive

Nga: G.B Më: 7 janar 2022 Në ora: 12:06
Bahri Cani

Gazetari i “Deutsche Welle”, Bahri Cani, ka komentuar koalicionet e partive nëpër komunat në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se nuk duhet befasuar me koalicione të tilla pasi partitë shqiptare nuk po punojnë kundër Kushtetutës së Kosovës, përcjell Bota sot.

Ai ka thënë se ka politikanë të korruptuar dhe hajna që janë pasuruar në shpinë të popullit, e ata duhet të përballen me ligjin, të shkojnë edhe në burg - kuptohet nëse vërtet dëshmohet faji i tyre.

Cani po ashtu ka thënë  se nuk duhet befasuar as nëse pas zgjedhjeve të ardhshme, VV bën ndonjë koalicion edhe në nivelin e vendit me ndonjë parti tjetër, të cilën e ka quajtur apo sot e quan me emra të ndryshëm.

Postimi i tij i plotë në Facebook:

Bashkëpunimi i partive politike në Kosovë!

Vetëvendosja në Gjilan bën koalicion me PDK. Ndërsa LDK bën koalicion me PDK në Prishtinë. Në komuna të tjera janë bërë apo të të bëhen koalicione edhe mes partive të tjera. Shumëkujt i duket ndoshta e pakuptueshme, e madje edhe tradhti e votës, gjëra që nuk shkojnë, apo që nuk kapërdihen hiç etj etj.

E unë them: Mirë se vini në sistemin shumëpartiak! Në Kosovë nuk ka asnjë parti politike shqiptare që punon kundër Kushtetutës së Kosovës, si subjekt. Ka persona që janë përballë dhe që patjetër duhet të përballen me ligjet. Ka politikanë të korruptuar dhe hajna, që janë pasuruar në shpinë të popullit, e ata duhet të përballen me ligjin, të shkojnë edhe në burg - kuptohet nëse vërtet dëshmohet faji i tyre. Por nuk ka asnjë parti, si të tillë pra si subjekt në tërësi, që angazhohet kundër rendit dhe ligjit, kundër Kushtetutës së vendit. Orientimet e majta, të djathta, dallimet politike mes subjekteve për çështje madhore dhe jo madhore janë tërësisht normale.

Por bashkëpunimet e tilla mes partive politike, në veçanti në nivelin lokal, janë shumë normale dhe të domosdoshme. Shikoni pak vetëm Gjermaninë. Deri në dhjetor kemi pasur koalicionin e Unionit CDU-SCU me SPD. Tani SPD ka koalicion me ekologjistët dhe FDP. Në nivelin lokal i gjejmë të gjitha koalicionet e mundshme, të të gjitha partive demokratike, me përjashtim të AfD, e cila ende përjashtohet nga të gjitha kombinimet për koalicione.

Ndaj mos u befasoni me koalicione të tilla. Janë normale dhe do të jenë edhe më normale në të ardhmen. Mos u befasoni nëse pas zgjedhjeve të ardhshme VV bën ndonjë koalicion edhe në nivelin e vendit me ndonjë parti tjetër, të cilën e ka quajtur apo sot e quan me emra të ndryshëm. Kuptohet nëse prapë fiton vota të mjaftueshme për të mbetur në pushtet - por për këtë ka kohë edhe disa vite! Nëse nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme...

Shëndet dhe vazhdojmë... Sot në Gjermani do të merren masa të reja kundër pandemisë. Shihemi pak më vonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat