PDK kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë: Antikushtetuese

Aktuale

PDK kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë: Antikushtetuese

Më: 14 janar 2022 Në ora: 12:32
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, thotë se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese. Krasniqi në një përgjigje u shpeh se mbajtja e referendumit do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshem lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e nje shteti fqinj”, tha Krasniqi.

BE-ja dhe shtetet e QUINT-it po kërkojnë nga kryeministri Kurti që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës për referendumin që do të mbahet në Serbi të dielën ashtu siç është lejuar në të kaluarën.

Këtë gjë po e kundërshton shefi i qeverisë së Kosovës me arsyetimin se “mbajtja e një referendumi në një shtet sovran i një shtetit tjetër s’është praktikë që pranohet nga asnjë shtet demokratik”.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se serbët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes dy formave, asaj me postë dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Ambasadorët e ShBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës e Italisë sot i kanë shkuar në zyrë presidentes Vjosa Osmani dhe besohet që tema e takimit do të jetë lejimi i votimit të serbëve të Kosovës për referendumin që do të mbahet në Serbi.

Në presidencë po qëndron edhe kryeministri Albin Kurti.

Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat