​Përvjetori i vdekjes së Skënderbeut

Aktuale

​Përvjetori i vdekjes së Skënderbeut

Më: 17 janar 2022 Në ora: 07:24
Gjergj Kastriot Skënderbeu

Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu ndërroi jetë më 17 janar 1468 në Lezhë. Gjergj Kastrioti, Heroi Kombëtar i Shqipërisë u lind në vitin 1403. I përkiste familjes mbretërore të Kastriotëve.

I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Kur u lind Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje deri në detin Adriatik në perëndim.

Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq në moshën 63-vjeçare. Ai konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës. Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj.

Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur. Kruja që për shumë vite u quajt si Akropoli i Krishterimit, rezistoi vetëm një rrethim tjetër pa Prijësin e saj.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqipërisë vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues në shekullin e 15-të dhe ishte një shembull për imitim për të gjithë heronjtë e mëvonshëm. Mbeti në histori si luftëtar, si gjeneral njeri me principe dhe me ideale. Gjergj Kastrioti ishte personaliteti më i madh politik dhe ushtarak i kohës së tij. U njoh si komandant i të gjitha fiseve shqiptare dhe mbrojtës i krishterimit.

Arriti të ndalonte për 25 vjet me radhë përhapjen e hordhive turke në Ballkan pa humbur qoftë edhe një betejë. Me luftën e tij heroike arriti të fitonte admirimin e të gjithë Evropës së Krishterë. Në Shqipëri, Skënderbeu është një legjendë, imazhi i vërtetë i një heroi, një gjysmëperëndie që gjithmonë ndodhej në vijën e parë të luftës, që kurrë nuk ngurroi të sakrifikonte jetën e tij për idealet e tij, për ato që ai besonte, për atdheun dhe bashkëluftëtarët e tij.

Sot në Shqipëri kujtimi i tij është mjaft i gjallë, dhe kështu në nder të tij, që nga dita kur ai vdiq, mbiemri i tij u kthye ne emër nderi për djemtë. Dhe kështu njerëzit emërojnë fëmijët e tyre, në mënyrë që këta fëmijë t’i ngjajnë këtij Heroi. Për këtë në Shqipëri është një nder të quhet dikush Kastriot, por edhe një përgjegjësi e madhe që të mund ta nderojë dikush këtë emër në çdo moment.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat