Reshitaj: Kërkesa për dozën e tretë për të tjerët është e pavend

Aktuale

Reshitaj: Kërkesa për dozën e tretë për të tjerët është e pavend

Më: 27 janar 2022 Në ora: 23:39
Albena Reshitaj

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, vlerëson se ekzekutivi duhet të ndryshojë masën për hyrjen në Kosovë me dozë të tretë të vaksinës ndaj COVID-19 dhe e njëjta masë të zëvendësohet me bërjen e testeve rapide falas në kufi.

“Masat e fundit dhe sidomos kërkesa për dozën e tretë të vaksinës ka qenë e panevojshme në këtë fazë pasi edhe me dy vaksina qytetarët po arrijnë të infektohen sërish me COVID-19. Kam kërkuar që kjo masë të ndryshohet dhe të ofrohen teste rapide në kufij falas pasi edhe saktësia e tyre është e lartë dhe e shpejt”.

Mes tjerash, Reshitaj, theksoi se kjo masë është e pavend pasi qytetarët në vend ende nuk janë vaksinuar në shumicë me këtë dozë.

“Ka ende diskutime në arenën ndërkombëtare se a duhet të vaksinohen të gjithë qytetarët me dozën përforcuese dhe mos të harrojmë që këto doza janë të domosdoshme për kategoritë më të rrezikuara. Kur ne si vend nuk kemi arritur që të vaksinojmë në masë qytetarët me tri doza dhe t’ju kërkojmë qytetarëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera është e pavend”, tha Reshitaj.

Tutje deputetja vlerëson se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike do të duhej të bënte hulumtime rreth varianteve të COVID që janë prezente në Kosovë.

“Institucionet tona nuk mbështeten mjaftueshme dhe për të bërë hulumtime në lidhje me pandeminë gjë që shtetet në rajon po e bëjnë këtë”.

“Këto hulumtime do të ndihmonin më shumë institucionet, qytetarët dhe ekspertët që nuk kemi të bëjmë vetëm me variantin Omicron por edhe variantin Delta dhe se rastet që janë duke u infektuar dhe fatkeqësisht po ndërrojnë jetë mund të jenë me variante më të vjetra. Për atë kam kërkuar që institucionet të dinë se cila është përqindja e rasteve me variantet përkatëse të COVID-19. Ne nuk kemi këtë informacion”.

“IKSHPK-ja duhet të bëjë hulumtime dhe analiza rreth infektimit të qytetarëve me COVID-19 dhe duhet të dimë më shumë rreth përqindjes se infektimeve dhe varianteve që kemi prezente”, tha Reshitaj.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat