Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë qeverisjes së tij janë bërë më shumë investime në modernizimin dhe renovimin e termocentraleve ekzistuese sesa në periudhat e mëparshme.
Duke folur në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës për sektorin e energjisë, Kurti tha se investimet në modernizimin e kapaciteteve ekzistuese energjetike kanë qenë të vazhdueshme.
Kurti: Investimet në modernizimin e kapaciteteve ekzistuese energjetike kanë qenë të vazhdueshme
“Kurrë nuk ka pasur më shumë investime për modernizimin dhe renovimin e termocentraleve ekzistuese. Ndërkaq, ju mua më njihni mirë. Në alternativën qeverisëse të LVV-së në vitin 2013 i ke B3 dhe B4. Ne nuk e kemi ndërruar atë program. Unë jam i interesuar të lexoj atë që ke shkruar, por, në vend të fotografisë, ma transkripto, se nuk e di a mund ta lexoj shkrimin, besoj”, tha ai.
Kurti në Kuvend foli për planet e Qeverisë në sektorin e energjisë, duke përmendur burimet e ripërtërirë, kogjenerimin, gazifikimin e linjitit dhe mundësinë e shfrytëzimit të gazit të lëngshëm nga terminali i Vlorës në Shqipëri.
Ai tha se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj diversifikimit të burimeve të energjisë, ndërsa bëri të ditur se Kosova ka marrëveshje me Shqipërinë për shfrytëzimin e terminalit të Vlorës.
Kurti: Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj diversifikimit të burimeve të energjisë
“Jo vetëm që kemi theksuar burimet e ripërtërirë dhe i qëndrojmë asaj, jo vetëm që kemi theksuar efiçiencën dhe kogjenerimin. Në zgjedhjet e fundit kemi fituar edhe me shqyrtimin serioz të gazifikimit të linjitit. Por edhe me shfrytëzimin e gazit të lëngshëm të terminalit të Vlorës, nga ku mund të marrim energjinë elektrike. Ne kemi marrëveshje me Shqipërinë për shfrytëzimin e terminalit të Vlorës”, tha Kurti.
Kryeministri foli edhe për zhvillimet në veri të Kosovës, duke e ndërlidhur kontrollin e Liqenit të Ujmanit me planifikimet strategjike për sektorin e energjisë.
Ai tha se sundimi i ligjit, pagesa e energjisë elektrike dhe kontrolli i Liqenit të Ujmanit janë të rëndësishme për zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike.
Kurti: Kontrolli i Ujmanit ka rëndësi për kapaciteteve të reja energjetike
“Zhvillimet në veri të Kosovës. Ka sundim të ligjit, pagesë të energjisë elektrike dhe, mbi të gjitha, ka kontroll të Liqenit të Ujmanit. Nuk mund të bësh planifikime të reja, nuk mund të zhvillosh vizione dhe strategji për kapacitete energjetike përderisa nuk e kontrollon Ujmanin. Liqeni i Ujmanit ka më shumë se trefish ujë krahasuar me tri liqenet e tjera së bashku, Radoniqin, Batllavën dhe Badovcin”, tha ai.