​Ngrihen dilema për statutin e zyrës për financimin e partive politike

Aktuale

​Ngrihen dilema për statutin e zyrës për financimin e partive politike

Më: 31 janar 2022 Në ora: 14:22
Grupi për Studime Juridike dhe Politike

Miratimi i Projektligjit për financimin e partive politike po konsiderohet i nevojshëm për të vendosur kontroll dhe transparencë në partitë politike në Kosovë. Por, në tryezën e Grupit për Studime Juridike dhe Politike u ngritën dilema për nevojën e krijimit të një zyre për financimin e partive politike, paralel me KQZ-në.

Hulumtuesi i lartë në GLPS, Naser Shamolli, tha se para miratimit të Projektligjit duhet qartësuar rolin e zyrës për financimin e partive dhe mos krijimin e një etniteti të ri.

Shamolli: Tek projektligji tingëllon sikur është etnitet i njëjtë sikur KQZ-ja

“Tek projektligji tingëllon sikur është etnitet i njëjtë sikur KQZ-ja në këtë rast. Prandaj duhet kujdes se ne praktikisht jemi duke krijuar një agjenci të re, nuk shquhet si e tillë, quhet zyre dhe përfshihet në strukturat e KQZ-së, por po t’i shikojmë karakteristikat të drejtën me zgjedh auditorin vet, drejtori i zyrës është tip i nivelit të lartë drejtues. Pra, i ka krejt funksionet e zyrtarit të lartë administrativ, kjo tingëllon se do të ketë statusin gati si të KQZ-së. Prandaj duhet pasur kujdes, pasi ne jemi edhe në fazën e reduktimit të agjencive. E dyta, si do të jenë mekanizmat e llogaridhënies ndërmjet KQZ-së dhe kësaj strukture”, tha ai.

Këto pretendime i mohoi, drejtori i zyrës ligjore të Zyrës së Kryeministrit, Mentor Borovci, i cili tha se zyra për financimin e partive politike nuk krijon etnitet të ri, por vetëm do të ketë një pavarësi funksionale nga KQZ-ja.

Borovci: Zyra do të ketë një pavarësi funksionale, por jo duke krijuar një etnitet të ri

“Zyra për financimin e subjekteve politike me projektligjin e ri do të ketë një mandat shtesë. Bashkë me mandatin shtesë dhe specifik jemi detyruar të ri dizajnojmë rolin dhe pozicionimin e kësaj zyre në kuadër të KQZ-së. Ashtu që kjo të ketë një shkallë të pavarësisë funksionale, por duke mos krijuar një etnitet të ri”, tha ai.

Përkrahje miratimit të këtij projektligji i dha edhe shefi i zyrës për sundim të ligjit dhe të drejtat e njeriut të EUSR në Kosovë, Jarmo Helppikangas.

Helppikangas: Është e nevojshme miratimi i Projektligjit për financimin e partive politike

“Është e rëndësishme që ligji të jetë i balancuar dhe të gjitha ndryshimet e mundshme që propozohen, siç mësohet, siç është projektligji aktual, sepse pa marrë në konsideratë të gjithë kuadrin ligjor është shumë e vështirë të fillohet ndryshimi i detajeve që mund të shkaktojnë më shumë probleme sesa që të ofrohen zgjidhje. Linja jonë e opsioneve është siç është shkruar në raportin e vendit. Vazhdoni dhe shkoni përpara, kjo do të ishte mirë. Dhe sigurisht që mbështetja e të gjitha partive politike është e nevojshme në këtë aspekt sepse kjo është diçka që organet duhet ta bëjnë për të pasur rregulla të qarta të lojës. Në fakt, kjo është një çështje serioze që nuk është vetëm një lojë që të kemi rregulla të sigurta për të gjithë, të gjithë e dinë se çfarë është përmbajtja e rregullave dhe mund të binden edhe kur vijnë dënimet që ato të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë me të njëjtat rregulla dhe me të njëjtën peshë të zbatimit”, tha ai.

Projektligji për financimin e partive politike është miratuar në qeveri vitin e kaluar, derisa tani është në shqyrtim nga Kuvendi i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat