Afera korruptive – dyshimet që rëndojnë për “avullimin” e 53 mln eurove

Aktuale

Afera korruptive – dyshimet që rëndojnë për “avullimin” e 53 mln eurove

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 17:53
Pal Lekaj

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt dhe dy të tjerëve pasi të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.

Aktakuza ndaj Lekajt ndërlidhet me rastin e 53 milionë eurove shtesë të cilat Ministria e Infrastrukturës i ka ndarë për “Bechtel&Enka”, disa vjet më parë, për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” që lidh Kosovën me Maqedoninë.

Dy të akuzuarit tjerë janë Nebih Shatri, ish-zyrtar i Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Eset Berisha, shef i kabinetit të Lekajt.

Skandali i 53 milionë eurove 

Autostrada Prishtinë – Hani Elezit e njohur ndryshe edhe si autostrada “Arbën Xhaferi” në bazë të kontratës fillestare do duhej të përfundonte më 1 janar të vitit 2018. Mirëpo, shteti i kishte paguar edhe 53 milionë euro kompanisë “Bechtel&Enka”, për shkak të zvarritjes së pagesave nga ana e qeverisë. Kjo zvarritje e pagesave kishte bërë që të zvarriten për 1 vjet përfundimi i punës në këtë autostradë.

Kontrata origjinale për ndërtimin e autostradës u nënshkrua nga qeveria e përkohshme e  ish-presidentit Hashim Thaçi më 1 korrik 2014 dhe punimet në autostradë filluan një javë më vonë, më 8 korrik.

Megjithatë, buxheti i planifikuar, punimet dhe afati kohor për të cilin ranë dakord gjatë qeverisë së Thaçit për autostradën Kosovë-Maqedoni nuk morën fund.

Ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, filloi negociatat me Bechtel Enka në vitin 2017, duke u përpjekur për të arritur një marrëveshje për të ndryshuar ngarkesën dhe kornizën kohore të rënë dakord.

Më 27 shtator 2017, ish- ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj kishte nënshkruar një amendament për shtyrjen e afatit për përfundimin e punimeve në autostradë. Kësisoj kompanisë iu dhanë edhe 347 ditë shtesë për përfundimin e punimeve.

Qeveria e atëhershme ishte dakorduar që afati kohor të zgjatej nga 18 janari 2018 deri më 31 dhjetor 2018.

Pak ditë pas marrjes së detyrës në shtator 2017, qeveria e Haradinajt nënshkroi aneks kontratën e re me kompaninë që i kushtoi qeverisë 53.1 milionë euro të tjera.

Pas debateve të shumta rreth ndarjes 53 milionë eurove prokuroria kishte nisur hetimet rreth këtij rasti.

Vetëm në nëntor të vitit 2017, ministri Lekaj gjatë një debati televiziv tha se ka marrë një kërkesë për 63 milionë euro nga Bechtel Enka në lidhje me gjobën. Më pas, qeveria u mburr se kishte arritur të “shpëtonte” 10 milionë euro, duke paguar “vetëm” 53 dhe jo 63 milionë që u kërkuan fillimisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat