Deputeti nga radhët e VV-së, Adnan Rrustemi, ka folur në lidhje me ndërprerjen e mbledhjes së kryesisë gjatë ditës së sotme, pas një përplasje mes shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi dhe shefit të kabinetit të kryetarit të kuvendit, Ilir Kërçelit.
Rrustemi thotë se Arben Gashi përdori fjalët më të ulëta drejtuar shefit të kabinetit të kryetarit të kuvendit, Ilir Kërçelit.
“Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi iu sul zotit Kërçeli me fyerje e sharje të shumta, natyrisht u bë e pamundur që të fillojë mbledhja e kryesisë”.
“Më ka habitur si deputet se si është e mundur që një shef i grupit parlamentar, një deputet i parlamentit të Kosovës të përdor një gjuhë të tillë, duke sharë në mënyrën më të ulët, një nga stafin e kabinetit të kryetarit të kuvendit. Por ishte një situatë e papërballueshme por në të njëjtën kohë kishte kërcënime, kanosje dhe sharje me anëtarë të familjes, më të ndyrat të mundshme, eskalimi u evitua nga të pranishmit”, u shpreh Rrustemi në Edicionin Special.
Tutje, Rrustemi theksoi se arsyet e eskalimit të Gashit kishte të bënte me një status të Kërçelit.
“Posa hyri kryetari i kuvendit së bashku me shefin e kabinetit të tij, filloi edhe vërsulja nga zoti Gashi duke kërkuar që ai të mos jetë i pranishëm në sallë, duke e kërcënuar dhe duke e sharë”.
“Reagimi i zotit Gashi kishte të bënte me publikimin pas një statusi të përgjithshëm të zotit Kërceli për derivatet, i cili nuk e kishte përmendur emrin e tij, por që mediat pastaj e kishin zbërthyer më pas se kishte shpenzuar mbi 10 mijë euro për dy vite, natyrisht është çështje tjetër se a është e saktë, dhe mund të verifikohet lehtë në administratën e kuvendit të Kosovës, por pavarësisht kësaj një reagim i tillë nuk justifikohet”, shtoi Rrustemi.