Bujar Bukoshi a e ka fshirë të kaluarën e vet para se të vendoste që t’i dilte në mbrojtje Hashim Thaçit, për ta shfajësuar nga krimet e dyshuara që ka kryer ai, por edhe grupi i tij “ndërmarrja e përbashkët kriminale”.
Dikur thoshte se Hashim Thaçi, nuk e kishte problem të ecte mbi kufoma, siç e citonte gazeta e përditshme amerikane Nju Jork Tajms.
Dëshmitë argumentojnë se Hashim Thaçi me 1998, gjatë verës e kërcënoi me jetë kolonelin e vrarë me 2003, Tahir Zemajn. Pastaj me telefonin e tij, ai e kërcënoi me jetë kolonelin Ahmet Krasniqin, ashtu si dëshmitarët e kohës e përcjellin mesazhin duke i thënë: “Shumë shpejt do të kryejmë punë me ty”. Pas disa jave koloneli Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes u vra në Tiranë.
Ahmet Krasniqi ishte emëruar ministër i Mbrojtjes nga Bujar Bukoshi, i cili nga viti 1991 e drejtonte Qeverinë, me pajtim të Këshillit Koordinues të partisë politike të Kosovës, dhe me vendim të Kuvendit.
Sulmi i Thaçit ndaj Bukoshit në Rambuje
Po ashtu burimet tona, bazuar në pohimet e dëshmitarëve të kohës, tregojnë se Bujar Bukoshi, qe goditur me lugë nga Hashim Thaçi në Rambuje.
Gjatë bombardimeve presidenti Rugova qe dënuar publikisht me anë të një komunikate të Shtabit të UÇK-së me seli në hotelin Rogner në Tiranë.
Ndërsa, kishte tashmë muaj, që listat e ekzekutimit për qindra veta ishin publike, duke e pasur në shënjestër numër 1 presidentin Rugova, duke vazhduar me Fehmi Aganin dhe të tjerë, e në mesin e tyre ishte edhe vet Bujar Bukoshi.
Po ashtu ai ishte kërcënuar vazhdimisht, që ta derdhte fondin e 3 % në fondin “Vendlindja thërret”, si fond të luftës, dhe që ‘mjetet t’ia kalonte Shtabit të UÇK-së’.
Shumëherë Hashim Thaçi dhe grupimi i tij, mori miliona marka nga fondi i 3% i Republikës, që Bukoshi ua jepte pa asnjë mbështetje ligjore.
Në fakt, atë kohë, si quhen nga gjykata speciale, “Ndërmarrja kriminale” i kishin rritur të hyrat e fondit “Vendlindja thërret”, pasi kishin arritur që ta përvetësonin fondin e krijuar nga LPK-ja, si thuhet nga ish udhëheqës të LPK-së. Ky fond kishte arritur në vitin 1999 në qindra miliona valuta perëndimore, kryesisht marka gjermane, franga zvicerane dhe dollarë amerikan.
Një bilanc apo rekord të buxhetit të tij, sigurisht se kurrë nuk do ta marrim vesh, por është e sigurtë se ai, tashmë kishte shkuar mbi 200 milionë marka. Dhe sa janë harxhuar më parë, as këtë s’do ta marrim vesh kurrë. Por, një hetim i fuqishëm mund të zbulojë shumë të palara, dhe shumë përfitues.
Bujar Bukoshi nuk i financonte as grupet guerile, dhe kishte filluar koketimin me figura të LPK-së, mbase që nga viti 1993.
Ndërsa, presidentit Rugova ia ndaloi financimin nga viti 1995.
Që nga fillimi vazhdoi të ishte një kundërshtar i Rugovës, kjo çoi një hasmëri të paparë, sa që urrejtjen e tij nuk e fshihte dot.
Ndalja e financimit për Presidencën Rugova është boshti i çdo analize të politikës që ndoqi ai.
Ai ishte nga të parët që në Nju Jork Times e akuzoi Hashim Thaçin si një njeri që nuk e ka problem të shkelte mbi gjakun e viktimave.
Po ashtu sipas Nju Jork Tajmsit, shkrim i botuar në qershor 1999, në muajin maj kishte dështuar një atentat ndaj Bujar Bukoshit.
“Bujar Bukoshi, kryeministri në ekzil i Ibrahim Rugovës, një prej rivalëve më të moderuar të Thaçit, vëren se “kufomat nuk kanë qenë kurrë pengesë për karrierën e Thaçit”.
Me sa duket UÇK-ja planifikoi një atentat të pasuksesshëm kundër Bukoshit majin e kaluar.
Shpërblimi për viktimat
Viktimat e tij, të rrahjes si Veli Bytyqi- gazetar, Gjergj Dedaj ish kryetar i liberalëve të Kosovës, kanë dëshmuar disa herë se kanë qenë viktima të Hashim Thaçit.
Por, në një moment edhe këta patën pranuar të përfitojnë pak benificione nga pushteti i pakufishëm i Thaçit në Kosovë, derisa një ditë të rrokullisej gjithçka. Dedaj që bërë zv.ministër i Kulturës, dhe ambasador në Maqedoni, post që e shijoi mjaft gjatë.
Ka edhe shpërblime të tjera, monetare për viktima të tjera. Ndërsa, për rrethin e afërt të viktimave po ashtu ka pasur shpërblime në vazhdimësi.
Ngjarje të dhimbshme lufte
Qeveria e majtë e Shqipërisë sapo NATO-ja e filloi vendosjen e trupave të saj në Kosovë, urdhëroi që forcat e FARK-ut ta lëshonin Shqipërinë pa armë, pra t’i dorëzonin armët atje, para se të marshonin drejt Kosovës.
Ky veprim u kushtoi me jetë disa ushtarëve të FARK-ut, dhe dhjetëra të tjerë u detyruan t’i nënshtrohen dhunës, disa u mbajtën në burgje dhe kampe të ndryshme.
Këto pikëpamje të paqarta të disa krerëve të UÇK-së që nxisnin dhunë, në një moment, shkaktuan tension edhe me forcat amerikane.
Më 16 qershor 199 kishte ndodhur një incident jo i lehtë, sipas Nju Jork Tajmsit, kur marinsat amerikanë duhej të çarmatosnin me forcë 200 pjesëtarë të UÇK-së në një fshat afër Prishtinës. “Burrat refuzuan të dorëzonin armët e tyre dhe u dorëzuan vetëm nën kërcënimin e transportuesve të blinduar të personelit dhe helikopterëve sulmues ‘Cobra’”.
Por, Bukoshi sot është bërë një apologjet i Hashim Thaçit, sërish në emër të ‘patriotizmit’, dhe po kërkohet të citohet nga mbrojtja e ‘ndërmarrjes kriminale’.
Por, çfarë mund të ketë përmbajtur dokumenti i Bukoshit, avokatët, që nuk e dinin shqipen, por Hajredin Kuqi, tash mund t’ua ofrojë në anglisht, duket se është një sekret publik.
Kur gjykata speciale njoftoi se ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve është ngritur aktakuza, kishte reaguar besniku i paepur i Thaçit, Bujar Bukoshi.
Në reagimin e publikuar në korrik të vitit 2020, Bukoshi, e vë në dyshim të plotë integritetin e gjykatës speciale, e cila është e vetmja shpresë për zbardhjen e vrasjeve të njerëzve besnik të institucioneve të Republikës së Kosovës, që edhe ai i drejtonte. Po ashtu ishte i pamëshirshëm në kritika për Perëndimin. “Në Kosovë dështoi drejtësia e importuar nga Perëndimi në emër të shtetit të së drejtës, dhe po ashtu do të dështoj drejtësia e eksportuar në perëndim, në emër të ndëshkimit të shqiptarëve”, pat deklaruar Bukoshi.
Sipas tij, nëpërmjet gjykatës speciale po synohej të diktohej politika në Kosovë, dhe se po përdorej ‘ushqim’ për politikat serbe.
A është Bukoshi pro ndarjes së Kosovë?!
“UÇK dhe udhëheqësit e saj, nuk mund të bëhen sot ushqim për politikat e ditës në Kosovë, Serbi, por dhe në Perëndim. Kush mendon se duke përdorur Gjykatën Speciale, mund të diktoj politikën në Kosovë, dëmton edhe drejtësinë edhe politikën. Kosova është mësuar t’ia dal sa herë drejtësia ka qenë mjet politik kundër shqiptarëve”, ka theksuar Bukoshi.
Vetëm pak ditë më parë Hashim Thaçit iu ndalua udhëtimi për në SHBA, ku ai shpresonte të nënshkruante një marrëveshje me Serbinë për ndarjen e Kosovës, nën mbulimin e projektit, ‘korrigjim kufijsh’.
Si duket Bukoshit i ka mbetur peng që ky projekt nuk shkoi deri në fund, dhe që Kosova i shpëtoi ndarjes.
Por, dilema që lë pas kjo deklaratë është, se në anën e kujt ishte Bukoshi? Në anën e integritetit të Kosovës apo të dezintegrimit të saj?
Tash ndoshta po i gjejmë përgjigjet përfundimtare, se pse Bukoshi u përplas aq fort me Rugovën, sa ndërmori zgjidhje antikushtetuese duke ia ndaluar financimet, nga e cila nuk hoqi dorë kurrë nga viti 1995 deri në shuarjen e institucioneve të Republikës me dekret të UNMIK-ut, në janar të vitit 2000!