Presidentja flet për herë të parë për shpenzimet sa ishte deputete, befason me deklaratën

Aktuale

Presidentja flet për herë të parë për shpenzimet sa ishte deputete, befason me deklaratën

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 20:03
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

(E plotësuar 22:50) - Presidentja Osmani tregon a u diskutua ndonjë “listë e zezë” në takimin e dytë me Escobarin

Presidentja Vjosa Osmani ka folur për takimin e dytë me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

E pyetur nëse është diskutuar për ndonjë listë të zezë të sanksioneve për personazhe publike në Kosovë, Osmani tha se nuk ka qenë fare temë.

Ajo tha se këto janë vendime të instituciomve të SHBA-së, por nuk janë temë negocimi ndërmjet shteteve.

“Jo në asnjë moment nuk është diskutuar. Këto janë vendime të institucioneve të SHBA-së të cilat ne mund t’i marrim vesh 24 orë më herët por nuk janë temë negociomi ndërmjet shteteve. Nuk është diskutuar në asnjë moment, nuk ka qenë fare temë e diskutimit”, tha Osmani.

Osmani për vizitën në Brezovicë: Rrobat i blejtëm 15 euro 

Presidentja Vjosa Osmani ka vazhduar t’i komentojë disa raportime të mediave për jetën e saj.

Ajo ka thënë se mediat kanë raportuar se ajo në Brezovicë, në një vizitë që ka pasur me familje ka veshur rroba mijëra euroshe.

Megjithatë, ajo thotë se ka veshur rroba të 15 eurove në “Viva Fresh”.

“Isha një natë në Brezovicë pas katër vitesh, edhe thonë keni vesh rroba të skijimit që kushtojnë mijëra euro. Në bazë të çkafit unë akuzohem për një gjë të tillë. Pantallona të skijimit që kemi veshur në “Viva Fresh” për 15 euro. Ky është realiteti”, tha ajo.

Tutje, Osmani thotë se mediat raportuan se ajo me familjen ka veshur skija mijëra euroshe të “Schumaherit”, që në fakt është vozitës i formulave dhe jo skijator.

“Thonin i keni marrë skijat e Schumaherit që kushtojnë mijëra euro, e ne i kemi marrë me qira”, tha tutje ajo.

Osmani: Në procesin e dialogut palët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani theksoi se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke.

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, Osmani tha se edhe në takimin e sotëm me përfaqësuesin britanik ka shprehur qëndrimin e saj në lidhje me procesin e dialogut.

Ajo tha se Kosova deri më tani i ka zbatuar të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar në procesin e stërgjatur në këtë proces, ndërsa nga Serbia janë dhjetëra marrëveshje që nuk janë implementuar.

Osmani tha se në këtë proces  palët nuk janë trajtuar njëjtë, për të shtuar se Serbia është trajtuar si fëmijë i llastuar nga Bashkimi Evropian.

“Prandaj Kosova nuk duhet të heshtë, sepse nuk janë në rregull. Prandaj këto duhet të thuhen publikisht, BE-ja ta çojë presionin te Serbia për zbatimin e marrëveshjeve”, tha Osmani.

Në intervistën për transmetuesin publik, Osmani foli edhe për takimet me përfaqësuesit nga Shtetet e Bashkuara në lidhje me raportet Kosovë-SHBA

Osmani: Jemi të vendosur, nuk lejojmë Asociacion ashtu siç do Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e vendosur se institucionet e vendit nuk do të lejojnë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ashtu siç e kërkon Serbia.

“Nuk do të lejojmë që Asociacioni të realizohet në Kosovë siç kërkohet nga Serbia”, ka deklaruar ajo të enjten, në intervistën për televizionin publik.

Mes tjerash, ka thënë se deklarimet për ndonjë autonomi për serbët e veriut nuk do të jenë të pranueshme për Kosovën.

“Kurrë një gjë e tillë nuk është diskutuar. Nuk mund të ketë asnjë model që mund të na shpie drejt bosnjëzimit të Kosovës. Ky nuk është dialog për statusin e Kosovës, por për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka pohuar ajo,

Presidentja ka pranuar se ka një intensifikim për dialogun Kosove-Serbi, referuar vizitave të fundit të emisarëve evropian e amerikan.

Duke folur për takimin me Gabriel Escobar, ajo ka thënë se ai ka qenë takim bilateral, në të cilin është diskutuar për dialogun dhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së. Presidentja ka mohuar se në atë takim është folur për ndonjë listë të zezë amerikane për sanksione ndaj personaliteteve politike në Kosovë.

Presidentja thotë se Prindoni asnjëherë nuk i ka quajtur mediat ndërmarrje e përbashkët kriminale

Presidentja Vjosa Osmani për herë të parë ka folur për shkrimet e bashkëshortit të saj Prindon Sadriu në raport me mediat.

Thotë se Sadriu asnjëherë nuk i ka quajtur mediat ndërmarrje kriminale.

“Ai e qartëson shumë mirë, që në asnjë moment nuk i ka quajtur mediat ‘ndërmarrje kriminale’. Mjafton bre ta lexojnë. Mjafton ta lexojnë. Nuk i ka quajtur mediat ndërmarrje kriminale, mjafton ta lexojnë”, tha Osmani.

Prindon Sadriu, bashkëshorti i Presidentes Vjosa Osmani, natën e së martës nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, i quajti mediat si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Një gjë e tillë ndodhi pasi, në media u publikua lajmi se Vjosa Osmani përgjatë kohës sa ishte deputete e Parlamentit, përgjatë viteve 2011-2014 ishte kompensuar me rreth 4 mijë euro nga shteti për rrugëtimin e saj nga Mitrovica, ndonëse jetonte në kryeqytet.

Presidentja: Për herë të parë kam dëgjuar tash për këto kompensime

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani që në pesë mandate ishte deputete e Kuvendit ka folur për shpenzimet e udhëtimit në kohën kur ishte një nga 120 ligjvënësit.

Tha se kur ishte regjistruar atë kohë nuk e ka ditur se do të kompensohej për udhëtim.

“Unë për herë të parë kam dëgjuar që ka kompensim për udhëtim tash kur ka dal kjo punë më media, shumë para se të flitej për emrin tim kur doli për deputetët që këtë vit kanë marrë kompensim. Atëherë kam dëgjuar për herë të parë për këtë kompensim”, tha Osmani për RTK’në.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përgjatë kohës sa ishte deputete e Parlamentit, përgjatë viteve 2011-2014 ishte kompensuar me rreth 4 mijë euro nga shteti për rrugëtimin e saj nga Mitrovica, derisa ajo banonte në kryeqytet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat