Reagim i ushtarakëve të ish-Ministrisë së Mbrojtjes kundër shkëmbimit të territoreve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë

Aktuale

Reagim i ushtarakëve të ish-Ministrisë së Mbrojtjes kundër shkëmbimit të territoreve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë

Nga: I. M. Më: 13 shkurt 2022 Në ora: 10:49
Foto Ilustrim, ushtarakët duhet ta kenë fjalën kryesore për territorin

Ish-ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes të Qeverisë së Republikës së Kosovës (1991-2000), u kanë bërë thirrje t’i japin fund propagandës proserbe, të gjithë atyre analistëve, politikanëve dhe të tjerëve që përkrahin idetë dhe projektet e Serbisë për ndarje të Kosovës, me apo pavetëdije.

Ata madje, në një komunikatë për shtyp u bëjnë thirrje institucioneve të shtetit, që t’i hetojnë ata persona që bëjnë hapur thirrje për ndarje të Kosovës.

Ushtarakët në komunikatën për shtyp, kërkojnë po ashtu që të refuzohet çfarëdo asociacioni me kompetenca ekzekutive, sepse sërish projektet e tilla e kanë për synim ndarjen e Kosovës.

Gjithashtu ata bëjnë thirrje që mos “të negociohet për asetet e Kosovës, si Ujmanin, Trepçën etj., sepse ato janë asete të pakontestueshme të vendit tonë”, thonë në reagim.

Atë theksojnë se vetëm pas njohjes reciproke, “duhet të diskutohen modalitet politike të fqinjësisë, si dy shtete të barabarta”, si ato ekonomike, ashtu edhe ato politike.

Në vijim teksti i plotë i reagimit të ish-ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes.

Komunikate për media

Ushtarakët e ish Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dënojnë ashpër, shkrimet e shëmtuara dhe antikombëtare të disa “analistëve”, më mirë të themi banalistëve që kohët e fundit kanë filluar të prononcohen dhe të shkruajnë nëpër lloj-lloj portalesh për temën e rrezikshme, për shkëmbim territoresh!

Në plotëni e përkrahim reagimin e gjeneral-major Ramadan Qehajës, se nuk duhet t’ketë shkëmbim territoresh, sepse kjo ide është e Serbisë dhe i shërben vetëm projekteve të saj.

Këtë shumë mirë dhe me vend e cek edhe z. Qehaja si në aspektin ushtarak ashtu edhe në atë ekonomik, diplomatik dhe atë të sigurisë.

Ushtarakët e ish MM-së shprehin indinjatë, zhgënjim dhe pakënaqësi me të gjithë ata individë “analistë”, ish politikanë, intelektualë, pa dallim përkatësie politike apo funksioni që e kanë ushtruar apo e ushtrojnë, që të mos bëhen, me vetëdije ose pa të, argatë të Serbisë dhe propagandistë të ideve të saj antishqiptare.


A pak na kanë rrjepur, asimiluar dhe masakruar, si me territore ashtu edhe në popull politikat uzurpatore serbe!?

Kjo për ne është e papranueshme.

Nëse këta “analistë” mendojnë se me këto ide antikombëtare, gjoja se me shkëmbim territoresh, ta heqin qafe Serbinë, mashtrohen keq.

Jemi dakord që përmes dialogut institucionet e Kosovës, t’i zgjidhin të gjitha problemet, tensionet me Serbinë, por, vetëm si palë e barabartë, por jo nën presion dhe me kusht që ne duhet t’i japim Serbisë sërish territore.

Edhe kërkesat për formimin e “zajednicës” me kompetenca ekzekutive çojnë në funksion të copëtimit të Kosovës, sepse e rrënojnë sovranitetin e vendit.

Çdo ide tjetër që bie në kundërshtim me sovranitetin, integritetin territorial, cenimin e kufijve dhe qe ishin përcaktuar qysh me Kushtetutën e vitit 1974, Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), Deklaratën e Pavarësisë, 17 Shkurt 2008, por edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të vitit 2015.

Si strukturë apolitike kërkojmë nga institucionet e Shtetit, veçmas nga organet e drejtësisë që të ndërmerren masa konkrete ndaj të gjithë atyre që, duke u paraqitur si “shpëtimtarë të kombit” bëhen zëdhënës të ideve të Vuçiqit.


Konstatimet dhe shpjegimet profesionale të gjeneralit Qehaja në kontekstin ushtarak dhe ekonomik dhe arsyet tjera, që mund ta dëmtojnë thelbin e stabilitetit ekonomik, politik dhe të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, duhet qartë të trokasin në ndërgjegjen e çdo individi.

Nënvizojmë se në asnjë mënyrë nuk duhet të negociohet për asetet e Kosovës, si Ujmanin, Trepçën etj., sepse ato janë asete të pakontestueshme të vendit tonë.

Këto asete dhe kufijtë e vendit nuk guxojnë të preken nga askush!

Ne jemi të mendimit se pas njohjes reciproke atëherë duhet të diskutohen modalitet tjera politike të fqinjësisë, si dy shtete të barabarta, si në rrafshin ekonomik ashtu edhe në atë politik dhe diplomatik.

Ushtarakët e ish-Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.

Prishtinë,
Shkurt, 2022

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat