Familja Imeri ka reaguar pas shpërthimit të skandalit për keqpërdorimet e bëra me mëditje, për udhëtime, për naftë dhe të tjera.
Skandali zbuloi se nuk kishte parti parlamentare, që disa deputetë të saj të mos kishin abuzuar me mundësinë e përfitimit të mëditjeve, duke u paraqitur se ishin përfaqësues nga mjedise jashtë Prishtinës, pavarësisht që tërë kohën jetonin këtu.
Familja Imeri, e cila është prej atyre që më shumti ka pësuar nga politikanë dhe politika të komprometuar, me atdhetarizëm të dyshimtë, i porosit “qytetarët se nuk duhet të votojnë më për 'patriotët' e rremë, për luftëtarë të rremë, për lider të rremë”.
Lexojeni në vijim tekstin e plotë të familjes Imeri.
Lajme tronditëse vërshuan Kosovën se si deputetët e Kosovës e plaçkitin shtetin e tyre dhe e quajnë veten patriotë apo jo?
Deputetët që janë bërë milionerë në kurrizin e qytetarëve të varfër, nuk duhet të votohen herën tjetër.
Këta nuk janë politikanë që interes e kanë jetën e qytetarit dhe shtetin, këta janë të ngjashëm me veteranët e rremë dhe lirisht mund t’i quajmë deputetë të rremë dhe mashtrues.
Qytetarët nuk duhet të votojnë më për 'patriotët' e rremë, për luftëtarë të rremë, për lider të rremë, qytetarët duhet të zgjedhin atë që nuk e ka patriotizmin e rremë, instrument për të ardhur në pushtet se të këtillët pastaj e vjedhin qytetarin, shtetin.
Në Kosovë mbretërojnë pra: patriotët e rremë, veteranët e rremë, prokurorët e rremë, gjykatësit e rremë, deputetët e rremë, gazetarët e rremë dhe të gjithë së bashku i kanë vënë Kosovës litarin në fyt...
Nga patriotët e shpifur metastazohet shoqëria me krim e korrupsion dhe si rezultat kemi një shtet të korruptuar e pastaj të kalbur dhe të dështuar.