Gërvalla flet për rritjen e çmimeve, kë e bën fajtor

Aktuale

Gërvalla flet për rritjen e çmimeve, kë e bën fajtor

Më: 16 shkurt 2022 Në ora: 21:31
Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka folur lidhur me rritjen e çmimit të rrymës dhe produkteve të tjera bazike në vend. Thotë se ky është një fenomen i cili nuk varet nga Kosova. Ajo ka përmendur edhe pushtimin e mundshëm të Ukrainës nga Rusia, gjë e cila sipas saj, do të ndikonte akoma në përkeqësim të situatës.

“Rritja e çmimeve të energjisë s’ka të bëjë me 14 shkurtin sepse është një fenomen i cili ka ndodhur në të gjithë botën nga i cili s’mund të përjashtohet vetëm Kosova ekskluzivisht. Ju keni të afërm, shokë e miq, në botë dhe po t’i pyesni ata thonë se reflektimi i shtrenjtimit të energjisë elektrike në kuletën e tyre personale ka qenë për nga përqindja shumë më i lartë se ajo çfarë është reflektuar këtu. Ka disa fenomene që nuk varen nga Kosova”, tha Gërvalla për RTK’në.

“Ne kemi para vetës ndoshta një luftë të re në Europë edhe ajo do të ketë pasojat e saj. Ne do të ishim shumë të lumtur sikur të mund të evitohej një luftë e tillë por natyrisht që lufta e re në Europë nuk do të sjell lajme të mira, nuk do të sjell çmime më të ulëta, nuk do të sjell energji me çmim më të ulët por do të rriten çmimet”, shtoi ajo.

A do të thotë kjo se qeveria s’ka faj për rritjen e çmimeve?

“Unë do të thosha se fajtore është qeveria e shteti sikur ky të ishte një fenomen kosovar por për fenomenet botërore s’mund të jetë fajtore qeveria e Republikës së Kosovës e dalë nga 14 shkurti. Duhet të bëjmë një dallim të saktë në mes të asaj që është përgjegjësi e kësaj qeverie dhe asaj që kjo qeveri është munduar të menaxhojë ashtu si qeveritë tjera anë e mbanë botës. S’mund t’i përziejmë me njëra-tjetrën dy gjëra të ndryshme”, theksoi Gërvalla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat