(E plotësuar 19:25) - Putin: Bota ta njohë aneksimin e Krimesë – nuk është ndryshe nga Kosova
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të martën se bashkësia ndërkombëtare duhet të njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia, duke e krahasuar atë me Kosovën.
Gjatë një konference me gazetarë, pak pasi parlamenti rus miratoi kërkesën e tij për dërgimin e trupave të armatosura jashtë Rusisë, presidenti Putin tha se aneksimi i gadishullit të Krimesë në vitin 2014, duhet të njihet si “pasqyrim i ligjshëm i zgjedhjes së banorëve lokalë”, duke e krahasuar atë me pavarësinë e Kosovës.
"Njerëzit që jetojnë në Sevastopol, kanë vendosur vet, e kam thënë disa herë. Përse qenka ndryshe nga Kosova”, tha presidenti rus, i cili një ditë më parë njohu dy rajone separatiste rusishtfolëse në Ukrainën Lindore si shtete të pavarura, transmeton VOA.
Javën e kaluar, presidenti rus, gjatë një konference të përbashkët me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kritikoi NATO-n, duke thënë se kishte nisur një luftë në Evropë duke bombarduar Serbinë në vitin 1999.
Kancelari Scholz u kundërpërgjigj, duke thënë se ndërhyrja e NATO-s kishte ndodhur për të parandaluar gjenocidin, një referencë për përndjekjen e shqiptarëve në Kosovë nga forcat serbe.
Presidenti rus tha më pas se Rusia e konsideronte trajtimin e rusëve etnikë në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore si “gjenocid”, një pohim të cilin më pas kancelari Scholz e cilësoi “të gabuar”.
Nuk është hera e parë që presidenti rus përmend Kosovën në kuadër të arsyetimit për veprimet e tij. Në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë, vëzhguesit vunë re se ai përmendi Kosovën gjashtë herë gjatë fjalimit të tij.
Politikanë dhe analistë kanë theksuar në shumë raste se krahasimi i Krimesë me Kosovën është i sforcuar, dhe se pavarësia e Kosovës pasoi spastrimin etnik nga forcat serbe dhe një proces të gjatë ndërkombëtar. Asnjë nga këto nuk kishte ndodhur para marrjes nën kontroll të Krimesë nga Rusia.
Ndonëse e përmend shpesh Kosovën, Rusia një aleate e vjetër e Serbisë, refuzon të njohë pavarësinë e saj që tashmë është njohur nga mbi 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.
***
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë thirrje për njohje ndërkombëtare të Krimesë së pjesë të Rusisë dhe e ka krahasuar atë me Kosovën.
Putin tha më 22 shkurt se aneksimi i Gadishullit ukrainas të Krimesë më 2014, duhet të njihet si reflektim legjitim i zgjedhjes së banorëve lokalë, duke e krahasuar atë me pavarësinë e Kosovës.
Aneksimi i Krimesë është dënuar gjerësisht nga fuqitë ndërkombëtare dhe është cilësuar si shkelje e ligjit ndërkombëtar.
Këto komente të liderit rus vijnë një ditë pasi ai njohu rajonet separatiste në lindje të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk si entitete të pavarura.
Për t’i dhënë fund krizës aktuale në Ukrainë, Putin po ashtu ka bërë thirrje që NATO të mos e pranojë asnjëherë Ukrainën, duke thënë se ajo duhet të marrë “një status neutral”. Putin po ashtu ka kërkuar që aleanca ushtarake të mos i dërgojë armë Kievit.
***
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka folur për vendimin e tij që t’ua njohë pavarësinë dy rajoneve lindore të Ukrainës. Derisa sa i përket dërgimit të ushtrisë ruse jashtë kufijve, Putin është arsyetuar se “një gjë e tillë nënkupton ndihmesën ushtarake për këto republika”, shkruan telegraf.rs.
Ai ka thënë se Moska ka biseduar për këtë edhe me Perëndimin dhe Bashkimin Evropian, dhe shton se konflikti nuk është diskutuar.
Ndërkohë gjatë këtij fjalimi, ka folur edhe për Krimenë si pjesë të Rusisë derisa e ka përmendur edhe Kosovën.
“Njerëzit që jetojnë në Sevastopol kanë vendosur për veten e tyre, e kam thënë disa herë se sa ndryshon me rastin e Kosovës”, ka thënë Putin.
Tutje Putin ka thënë se zgjidhja më e mirë për Ukrainën do të ishte të refuzonte bashkimin në NATO dhe të mbante status neutral.