Përbindëshi i fjetur rus është zgjuar / Rreziku serb: Sulme e atentate në politikanë në Kosovë?!

Aktuale

Përbindëshi i fjetur rus është zgjuar / Rreziku serb: Sulme e atentate në politikanë në Kosovë?!

Nga: Idriz Morina Më: 24 shkurt 2022 Në ora: 19:39
Pamje të pasojave nga artileria ruse

Europa dhe bota, pas më shumë se 70 vitesh po ballafaqohen me egërsinë e një lideri dhe të një regjimi rus, që nuk ngopet deri në rrezikimin e paqes botërore.

Ukraina u sulmua nga të gjitha anët, nga toka, ajri dhe deti, me raketa dhe me sistemet gati më avancuara të ushtrisë ruse.

Nuk u shokuan vetëm ukrainasit. E gjithë bota demokratike dhe e civilizuar u step nga lufta, që ende nuk donte ta besonte, madje as kur para dy ditësh Putini urdhëroi trupat ruse t’i pushtonin dy krahinat separatiste Donetsk dhe Luhan.

Vetëm kur bombat e goditën kryeqendrën e Ukrainës Kievin dhe qytetet tjera të mëdha ukrainase, si Kharkiv, Odesa, Lutsk, Chernihiv, Kherson, Mariupol etj.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës janë raportuar 392 raste të bombardimeve nga forcat ruse në Ukrainë.

Image
E plagosura nga sulmet ruse

Mungesë armësh, parash...

Diplomacia ukrainase është ankuar se pavarësisht që ka mjaft njerëz, nuk ka pajisje të mjaftueshme ushtarake për t'u mbrojtur, sipas ambasadorit në Mbretërinë e Bashkuar, Vadym Prystaiko.

"Në këtë moment të veçantë, ne kemi mjaft njerëz; ne nuk kemi pajisje të mjaftueshme," tha Prystaiko. Natyrisht se edhe paratë e mjaftueshme u mungojnë dhe po i kërkojnë, sikurse çdo ndihmë tjetër.

Ndihma që ajo e kërkon është legjitime, sepse afër dy mijë koka bërthamore Ukraina pranoi t’i çmontonte, dhe madje t’ia jepte Rusisë, duke e humbur krejtësisht ndikimin bërthamor që mund ta kishte, si forca e tretë botërore atomike.

Rusia, me luftën shkeli dy pakte, marrëveshjen e Budapestit të vitit 1994 dhe Marrëveshjet e Minskut I dhe II (2014 e 2015). E para ia garantonte Pavarësinë, nga nënshkrimi trepalësh, Moskë, Uashington, Londër, ndërsa marrëveshja e dytë, synonte t’i jepte fund luftës në dy rajonet separatiste Luhan dhe Donetsk.

Por, pasi Rusia e pushtoi Krimenë me 2014, lideri autoritarist dhe tani edhe sadist Putini, nuk mund të kufizohej vetëm me trofeun Krime, dëshironte shumë më tepër.

As dy krahinat separatiste, që tashmë kishin shpallur nën mbështetjen ruse, pavarësimin nga Ukraina, nuk e kënaqnin Moskën. Kështu që ajo zgjodhi të godiste, jo vetëm, dy krahinat separatiste, por në mungesë të një kundërsulmi efikas nga Ukraina, ajo vendosi për pushtimin e përgjithshëm të shtetit fqinjë.

Me shumë gjasë edhe po ta realizojë pushtimin e Ukrainës, edhe pse do ta ketë shumë të vështirë ta mposhtë në tërësi, për shkak të ndihmës dhe mbështetjes së përgjithshme nga perëndimi për ukrainasit, Putini nuk do të ngopej.

Ai ka vendosur ta kalojë Rusinë në epërsi strategjike, ushtarake, dhe të tjera ndaj Perëndimit.

Ai po kërkon ta përzë NATO-n nga afërsia e kufirit me Rusinë, të cilat u anëtarësuan aty, pikërisht për shkak të frikës nga ‘përbindëshi i fjetur rus’.

Të gjithë ne që kemi jetuar, qoftë edhe vetëm si fëmijë edhe në fundin e luftës së ftohtë, e dimë se emri i Rusisë ka tmerruar jo vetëm shtetet, por edhe njerëzit e thjeshtë, të të gjitha vendeve dhe popujve, që nuk i janë nënshtruar dhe nuk e duan as miqësinë e vërtetë me Rusinë.

Si dikur me Kosovën i gjithë Perëndimi, dhe shumë shtete të botës po solidarizohen me fatin ukrainas. Të njëjtën gjë e bëri edhe Kosova, por e ka hallin e madh, të kërcënimit në veri nga Serbia dhe traktatet ruso-serbe.

Kosova edhe në të kaluarën edhe deri më tash, vazhdon të jetë një viktimë e Rusisë, drejtpërdrejt dhe në mënyrë indirekte.

Këtë e ka evidentuar edhe deklarata e përbashkët e krerëve të shtetit, Presidencë, Kuvend dhe Qeveri: Republika e Kosovës është përballur vazhdimisht me përpjekjet e Federatës Ruse për ta minuar sovranitetin dhe progresin e saj, qoftë duke bllokuar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duke armatosur Serbinë dhe duke ndërtuar baza të kamufluara ushtarake në Serbi, në afërsi të kufirit me Kosovën, apo duke orkestruar luftë speciale dhe hibride përmes propagandës dhe formave të tjera që Moska në vazhdimësi ka ndërmarrë kundër Republikës së Kosovës.

Po në atë deklaratë institucionet e kanë shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e parezervë për Ukrainën dhe popullin e saj, dhe po ashtu të drejtën për vetëmbrojtje. “Ne mbështesim të drejtën e patjetërsueshme të Ukrainës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vet territorial”.

Image
Pasoja nga goditjet raketore ruse

Kërcënimi bërthamor

Të gjitha shtetet demokratike, do të duhej t’ia qartësonin popujve të tyre, retorikën e rrejshme të Rusisë, të cilën e përdori edhe të enjten autoritaristi Putini kur gënjeu: “Veprimet tona janë vetëmbrojtje kundër kërcënimeve”, ndërsa pretendonte se Moska nuk kishte plane për ta pushtuar Ukrainën.

E çfarë po bënte gjatë këtyre tri ditëve, dhe veçmas të enjten herët në mëngjes, kur po hidhte më shumë se 400 projektile raketore.

Mashtrimin sllav, Putini e vazhdoi duke thënë se po i mbronte njerëzit në Donbas (krahinë jo administrative) nga “gjenocidi”, ukrainas.

Nëse vërtetë ai po bënte luftë për qëllime paqësore, e demanton kërcënimi i tij, se çfarëdo fuqie ushtarake, që i del përballë, do të ballafaqohet me shkatërrim, të cilin nuk e ka përjetuar në histori.

Ky kërcënim i tij, është zhveshje e gjuhës kërcënues, që nënkupton përdorimin e armëve bërthamore. Kjo sepse Europa, çdo lloj lufte tjetër e ka përjetuar, veçse armët bërthamore jo.

“Kushdo që përpiqet të ndërhyjë tek ne dhe aq më tepër të krijojë kërcënime për vendin tonë, për popullin tonë, duhet ta dijë se përgjigja e Rusisë do të jetë e menjëhershme dhe do t’ju çojë në pasoja të tilla që nuk i keni përjetuar kurrë në historinë tuaj”, ka thënë Putini, duke iu kërcënuar me këtë edhe SHBA-ve.

Këtë gjë e ka qartësuar më tej, kur thekson se të gjitha llogaritë janë bërë: “Ne jemi të gatshëm për çdo zhvillim të ngjarjeve. Janë marrë të gjitha vendimet e nevojshme në këtë drejtim”.

Pra, është e qartë, se në strategjinë ruse dhe të Putinit, është llogaritur përdorimi i çdo lloj arme, dhe përdorimi i pakufizuar dhe i papenguar i tyre.

Rreziqet nga lufta Ukrainë-Rusi

Por, numri i rreziqeve dhe krizës ekonomike, është thuajse i pashmangshëm. Një ekspert shqiptar që jeton në Britani të Madhe, Emanuel Bajrak ë përmbledhur disa, pas goditjes që pësuan ditën e enjte bursat botërore, ndërsa ajo ruse ishte mbyllur fare, për shkak të goditjes fatale të rublës ruse.

Bajra në krye të rreziqeve aktuale liston një sulm masiv kibernetik në Evropë dhe SHBA, me qëllim të dobësimit të infrastrukturës ekonomike, mediale-informative dhe teknologjike të Perëndimit, ku nuk përjashtohet Kosova.

Ai parashikon sulme nga Serbia, provokim dhune dhe incidente në Graçanicë, Mitrovicë e veriut, “sulme e atentate në politikanë ose infrastrukturë teknologjike gjithandej”.

Bajra kërkon disa hapa nga Qeveria e Kosovës:

“Qeveria duhet ti ri-aranzhojë financat e vendit në mënyrë që qarkullimi i CASH-it dhe transaksionet bankare të mbrohen me gjithçka që është e mundur.

Qeveria duhet të rrisë nivelin e rezervave të miellit, vajit, sheqerit e kripës si edhe mallrave tjera bazike dhe të krijojë ‘xhepa të rezervave’ në shtatë qytetet më të mëdha të Kosovës.

Qeveria duhet ta rrisë nivelin e rezervave të kapitalit me anë të konvertimit të likuiditetit në dollarë dhe funta dhe mbajtjen e këtyre rezervave në BQK.

Qeveria duhet të flas me FMN dhe BB-në, Trustin - që ti ketë linjat monetare të hapura në rast të nevojave urgjente që do të mund të paraqiten në muajt e ardhshëm”, pohon Bajra.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat