Njihuni me shefin e paprekshëm të policëve të arrestuar

Aktuale

Njihuni me shefin e paprekshëm të policëve të arrestuar

Më: 14 mars 2022 Në ora: 13:58
Nexhmi Krasniqi

Nexhmi Krasniqi është shefi i rreth 50 personave që në aksionin e sotëm u arrestuan nga Inspektorati Policor, për dyshimet për marrje ryshfeti e keqpërdorim detyre. Gazeta sjell të kaluarën e Krasniqit, që lidhet me dyshimet për përfshirje në mbrojtje të krimit, takime me diler droge e falsifikues të lejeve të armëve

Nexhmi Krasniqi, është njëri nga emrat më të njohur në rajonin e Prizrenit. Ai ishte drejtori i Policisë së Rajonit të Prizrenit dhe tani mbanë pozitën e drejtorit të Policisë Kufitare.

Një aksion i gjerë i Policisë, Prokurorisë e Agjencisë së Inteligjencës Kosovare ka nisur mëngjesin e sotëm e është duke vazhduar ende, kundër zyrtarëve policor e doganor të dyshuar për përfshirje në keqpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti.

Deri tash janë arrestuar rreth 50 persona. Gazeta ka raportuar ekskluzivisht për emrat e të arrestuarve. Drejtor i Policisë Kufitare, dhe shef i të arrestuarve është Nexhmi Kastrati.

Kush është shefi i paprekshëm i policëve dhe cila është e kaluara e tij?

Nexhmi Krasniqi, dyshohet për përfshirje në një sër rastesh. Ai ishte nën hetim të prokurorisë për dyshimet për mbrojtje të grupeve kriminale. Është takuar me të dënuar për drogë, falsifikim të lejeve të armëve e ka marrë pjesë në ndeja ku janë përdorur armët.

Gazeta ka raportuar para pesë viteve se si ish-drejtori i Policisë Nexhmi Krasniqi, dhe një grup i zyrtarëve të tjerë të policisë e prokurorisë dyshoheshin seishin vënë në mbrojtje të grupeve kriminale të drogës, haraçit e fajdeve.

Krasniqi dyshohej se në cilësi të personit zyrtar u ka siguruar “mbrojtje” grupeve të ndryshme të krimit të organizuar që vepronin në territorin e Prizrenit.

Sipas dokumenteve të Prokurorisë, të cilat i kishte siguruar Gazeta Insajderi, Nexhmi Krasniqi në mënyrë aktive ka marrë pjesë dhe drejtuar një grup kriminal të krijuar gjatë një periudhe kohore të përbërë nga të paktën tre persona – ai vetë dhe dy vartësve të tij.

“Ky grup kriminal”, sipas Prokurorisë është themeluar me qëllim të kryerjes së veprave të rënda penale në mënyrë që të sigurojë dirket ose indirekt, dobi pasurore apo financiare apo të tjera.

“Ekziston një dyshim i arsyeshëm se Nexhmi Krasniqi bashkëpunonte me një person që dyshohej se merrej me fajde dhe ai e përdor ndihmën e të pandehurit Nexhmi Krasniqi për ‘biznesin’ e tij”.

Aty përshkruhet mbrojtja që drejtori i Policisë, Nexhmi Krasniqi i bënte atij personi.

“Kur ai person përballej me probleme me klientët e tij, Nexhmi Krasniqi e dërgon shefin e hetimeve në stacionin e policisë në Prizren dhe pastaj e menaxhon situatën”, thuhet në përshkrimin e veprimeve të Krasniqit.

Hetimi i nisur kishte të bënte edhe me dyshimin se Nexhmi Krasniqi dhe një zyrtar tjetër kishin “lidhje të ngushta” me njërin prej grupeve kriminale në Prizren të njohur me emrin “Tullacët”, grup ky që merret me fajde, detyrim, rrëmbim dhe vepra të tjera penale.

Të gjitha këto ishin të përshkruara në dokumentin e siguruar nga Prokuroria.

Lidhur me këto dyshime prokuroria nuk shkoi më tutje. Rrjedhimisht të dyshuarit kishinshpëtuar pa aktakuzë si rezultat i një dekonspirimi të hetimit kundër tyre.

Takimi me diler të dorgës, falsifikues armësh e ndeja me armë zjarri

Nexhmi Krasniqi, si drejtor i Policisë Kufitare, në një lokal në Prizren ishte fotografuar me një person, i arrestuar dhe dënuar me 20 muaj burgim për drogë.

Dileri i dorgës, Salmin Badallaj, ishte kapur me më shumë se 1 kilogram drogë duke e kaluar pikën kufitare në Vërmicë.

Droga atij i ishte kapur në veturën që e kishte marrë me qera në gusht të viti 2015.

Image
Fotografia e Badallajt me drejtorin e Policisë Krasniqin, ishte publikuar në rrjete sociale.

Në një rast tjetër, Krasniqi është fotografuar me një të arrestuar për dyshimin për falsifikim të lejeve të armëve.

Atdhetar Rexhepi, i arrestuari për falsifikim të lejeve të armëve e kishte publikuar në rrjetet sociale  fotografinë bashkë me drejtorin e policisë.

Krasniqi ishte i veshur me uniformën zyrtare.

Image
Atdhetar Rexhepi dhe Nexhmi Krasniqi

Në një rast tjetër, në dhjetor të vitit 2018 Nexhmi Krasniqi ende në pozitën e drejtorit rajonal i Policisë në Prizren, ishte pjesëmarrës në një aheng në lokal, ku para syve të tij pati të shtëna me armë.

Në media u publikua video në të cilën shihej se Krasniqi, ishte dëshmitar i të shtënave me armë, në sytë e fëmijëve, të cilët i mblidhnin gëzhojat e plumbave të shkrepur para një numri të madh të mysafirëve.

Krasniqi kishte qëndruar i heshtur në këtë rast, pasi nuk e kishte lajmëruar në Polici, ndonëse personi zyrtar e ka për detyrë raportimin e të shtënave më armë pasi që është e ndaluar me legjislacionin në fuqi.

Kur ishte pyetur nga media, Krasniqi kishte deklaruar se nuk ishte në dijeni se ka qenë në ndonjë ndejë ku ishte shtënë me armë.

Ndjekja nga Inspektorati dhe suspendimi i Krasniqit

Nexhmi Krasniqi, ka qenë edhe pjesëtar i UÇK-së, gjatë luftës i njohur me nofkën “Skifteri 500”.

Në vitin 2015, ai ishte vënë nën llupën e Inspektoratot Policor, për shkak të problemeve të mëdha në qytetin e Prizrenit që lidheshin me haraçin dhe vrasjet.

U mor një vendim ndaj tij. U suspenduar nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Sipas Inspektoratit të Policisë së Kosovës kërkesa për suspendim të Krasniqit ishte pas “pranimit të disa informacioneve dhe ankesës nga qytetarët, si dhe pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore preliminare”.

Krasniqi ishte rikthyer sërish në këtë pozitë pas disa muajsh.

Derisa në vitin 2019, Krasniqit iu ndërrua pozita e tij. Nga drejtor i policisë në rajonin e Prizrenit u dërgua pozitën drejtor i Policisë Kufitare, ku edhe aktualisht vazhdon detyrën.

Instervistimi i Krasniqit për rastin e vdekjes së Deharit

Në janar të vitit 2020, Nexhmi Krasniqi ishte marrë në pyetje në cilësinë e ish-Drejtorit të Policisë se Rajonit të Prizrenit, lidhur me hetimet për vdekjen misterioze të ish- aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren në nëntor të vitit 2016.

Krasniqi pas vdekjes së Deharit, kishte dalur me deklaratë duke e cilësuar vdekjen e tij si vetëvrasje.

Sipas njoftimit të ish-drejtorit Krasniqi, Dehari kishte përdorur disa medikamente dhe kishte rënë në gjendje kome, e më pas, gjatë rrugës për në Emergjencë, kishte ndërruar jetë.

“Në bazë të informatave të para që kemi marrë nga drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, viktima ka përdorur disa medikamente dhe ka ra në gjendje kome. Rrugës për në Emergjencë ka ndërruar jetë. Në Emergjencë ka shkuar pa shenja jete”, kishte deklaruar Nexhmi Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat