Përfundon gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt, vendimi në pritje

Aktuale

Përfundon gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt, vendimi në pritje

Më: 18 mars 2022 Në ora: 15:54
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj ish-kryetarit dhe nënkryetarit të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

“Kolegji gjyqësor do të marrë vendimin e tij në një të ardhme të parashikueshme”, është publikuar në faqen e kësaj gjykate. Ky do të jetë aktgjykimi i parë i kësaj gjykate.

Prokuroria kërkoi nga gjykata që Gucati dhe Haradinaj t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë ata për të gjashtë pikat e aktakuzës, e cila i ngarkon ata për pengim të procedurës para asaj gjykate dhe frikësim të dëshmitarëve. Ajo propozoi dënime uniforme prej gjashtë vitesh burg dhe një gjobë prej 100 euro secili për të dy, ndërsa mbrojtja kërkoi lirim.

Nuk dihet se në çfarë afati do të shpallet aktgjykimi dhe në çfarë mënyre. Ky do të jetë vendimi i parë i Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, pas themelimit të tyre me vendim të Kuvendit të Kosovës në vitin 2014.

Në fillim të gjykimit më 7 tetor 2021, Gucati dhe Haradinaj u deklaruan të pafajshëm për akuzat ndaj tyre.

Të gjitha akuzat ndaj Gucatit dhe Haradinajt kanë të bëjnë me procedurat para SVK-së, duke përfshirë hetimet nga Prokuroria e Specializuar, sipas aktakuzës, e cila i ngarkon ata për pengim të punës së kësaj prokurorie, hakmarrje ndaj dëshmitarëve dhe frikësim dhe shkelje të fshehtësisë së procedurat.

Në aktakuzë thuhet se nga fundi i prillit deri në shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj kanë dhënë deklarata publike duke akuzuar dëshmitarët që bashkëpunojnë me prokurorinë si gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Këto veprime tregojnë synimin dhe motivet e tyre për të nënçmuar dhe penguar procedurën para SVK-së, vlerëson prokuroria.

Ata akuzohen për katër vepra penale – pengim i funksionarëve në kryerjen e detyrës zyrtare, kanosje e dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje e fshehtësisë.

Informacionet që ata publikuan ishin të mbrojtura si sekrete në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat