Analisti politik Xhevdet Pozhari ka reaguar pas sekuestrimit të rreth 136 kilogramëve marihuanë në autostradën “Arbën Xhaferi”, ku tre persona janë ndaluar nga autoritetet.
Përmes një postimi në Facebook, Pozhari ka thënë se, ashtu siç kishte paralajmëruar më herët, nëse gjatë mandatit të kaluar çështja kryesore e sigurisë ishte situata në veri të Kosovës, në mandatin e ri vëmendja pritet të përqendrohet te luftimi i krimit të organizuar.
Ai ka bërë të ditur se, sipas informacioneve që ka ndarë, pritet të arrestohet edhe personi i katërt i dyshuar në këtë rast, për të cilin pretendon se është zyrtar policor.
“Qysh edhe ju kam thanë, nëse në mandatin e kaluar ishte kryetemë e sigurisë veriu, në këtë mandat s'do t'ia lënë vendin krimit të organizuar”, ka shkruar Pozhari.
Postimi i tij vjen pas operacionit në autostradën “Arbën Xhaferi”, ku u sekuestrua sasia e konsiderueshme e substancës narkotike, ndërsa rasti pritet të trajtohet nga organet kompetente.