Reagim i Redaksisë!
Një grup i fshehtë kriminal, i udhëhequr nga nëntoka e grupeve të njohura kriminale politike që nga lufta e deri më sot, besohet se qëndron prapa thirrjeve për ekzekutime të reja në Kosovë.
Strategjia nuk ka ndryshuar, është ajo e para 22 viteve, shpallja bashkëpunëtorë të Serbisë e Ibrahim Rugovës, të udhëheqësve të institucioneve të Republikës së Kosovës, bashkëpunëtorëve të tij, dhe pastaj fillimi i atentateve dhe likuidimeve të panumërta të tyre.
Atëherë institucionet e Shtetit paralel, nuk kishin instrumente shtetërore, që të merreshin me njerëzit e tillë, Kosova ishte e okupuar, dhe sipas mendësisë politike të Ibrahim Rugovës, nuk mund të hapej një front i brendshëm shqiptarë, për t’u marrë me personat apo grupet, që kërcënonin, shpallnin tradhtar, dhe bënin thirrje për ekzekutime të bartësve të procesit të lirisë së Kosovës.
Kjo çoi në krijimin e listave
Si atëherë edhe tani, në listë futeshin edhe persona të komprometuar atë kohë, dhe për t’i dhënë ‘legjitimitet’ sipas tyre, ekzekutimeve, ata vrisnin ndonjë bashkëpunëtorë të Serbisë, ndonjë që ishte në institucionet represive të Serbisë, por edhe që ishte përfolur për spiun, si thuhej ndonjë ‘shumar’ (roje pylli), për t’i vrarë dhjetë patriot, luftëtarë të Pavarësisë, mbështetës të fuqishëm të Ibrahim Rugovës...
Dhe vrasjet vazhdonin, pa ndërprerë, atentatet për gati një dekadë, si ndaj Enver Malokut (dy herë), ndaj ministrit Ahmet Krasniqi (së paku dy herë), ndaj Sabri Hamitit, Sadri Ramqës, ... dhe vazhdonte të mbahej në krye të listës presidenti Rugova dhe të sulmohej.
Atëherë njerëzit kanë qenë edhe të hutuar nuk kanë arritur ta kuptojnë se vëllavrasja i interesonte më së shumti Serbisë, dhe se këtë do ta përdorte ajo me sukses pas luftës. Sot, shqiptarët, shumica absolute e kanë kuptuar dëmin, dhe pasojat e atyre veprimeve, madje edhe disa nga ata që kanë marrë pjesë në organizimin apo mbështetjen e vrasjeve politike.
Por, sot nuk mund të fshihen, duke u fshehur pas atyre që kryen vrasje politike, se edhe këta janë patriot.
Vendosja e botuesit Xhevdet Mazrekaj, dhe kryeredaktorit të “Bota sot” Idriz Morina në një listë me një grup personash, ku bëhet thirrje për ekzekutim, është pjesë e vazhdimit të shërbimit për Serbinë, nëse nuk është e përfshirë edhe vetë ajo.
Ata që duan gjakderdhjen e gjakut të shqiptarëve, ndërkohë që vet kërkuan të ndahet, copëtohet Kosova, dhe ne u bëmë muranë me miliona atdhetarë të tjerë, që të mos ndodhte kjo;
Nëse ne u bëmë muranë me ata, që të mos ndodhte as asociacioni me kompetenca ekzekutive; dhe
Nëse ne sot, po ndihmojmë përfundimisht t’i hiqet maska Serbisë edhe para botës, se ajo ishte e tillë, si e kemi paraqitur ne në vazhdimësi, aleancë proruse, kundër vlerave perëndimore, antinjerëzore, se ka qëllim zhbërjen e shteteve shqiptare dhe zhdukjen e kombit tonë;
Atëherë kush janë këta gjakpirës, që mendojnë se e ndihmojnë grupin e atyre që do të gjykohen për vrasjet politike, për atentatet e panumërta, dhe të vazhdueshme?
Përveç se janë pjesë e grupeve kriminale, ata nuk kanë si të jenë tjetër veçse edhe në shërbim të fshehtë dhe të hapur të armiqve të shqiptarëve.
Nuk i ndihmoni ata që kanë vrarë shqiptarët e mëdhenj, si Ahmet Krasniqi, Xhemail Mustafa, Enver Maloku, Sabri Hamiti (i plagosur me tre plumba), atentate të panumërta të dështuara ndaj Rugovës...
Nuk i nxjerrni nga Haga dhe as nuk ia pamundësoni arrestimin e të dyshuarve të tjerë për këto dhjetëra vrasje makabre...: Ali Uka në vitin 1997, pasohet me Ilir Konushevcin, ministrin Ahmet Krasniqi, Sadri Ramqen, Enver Malokun, Xhemail Mustafën, ushtarakun Rashit Mustafa “Karadaku”, Haki Imeri, Behajdin Hallaqi së bashku me Shaban R. Shalën, Agim Qela, Mirush Dakaj, ushtaraku Ekrem Rexha – Drini, Shaban Manaj, Ramiz Hoxha e Selman Binishi etj., Shefki Popova, Smajl Hajdaraj, Ismet Rraci, Adem Ukëhaxhaj, Agim Çelaj, Rexhë Osaj, Ramë Idrizaj-Peja, Bashkim Balaj, Sinan Musaj, Hajdar Ahmeti, Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj, Ilir Selimaj, Arben Sejdiu, Xhevat Jusufi, Skënder Gashi, Ukë Bytyçit, koloneli Tahir Zemaj, Enis dhe Hasan Zemaj, Kosovë e Albert Zeqiraj, Besim Dajaku e Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, këta dy të fundit gazetar të “Bota sot”...
Keni vrarë dy gazetarë dhe ende askush nga ju nuk është dënuar dhe vazhdoni ta ëndërroni parajsën e krimit!
Përkundrazi hartimi i listave të ekzekutimit sot, është dëshmi, se ju dhe ata në bashkëpunim, vazhdoni të jeni njësoj grupe kriminale, për të cilat drejtësia e vonuar duhet të flasë e të flasë pandërprerë!
Kush jeni ju?
Ju jeni po të njëjtit ‘profiter lufte’, që edhe nga lufta në Ukrainë e Perëndimit kundër Rusisë, deshët t’i rripnit shqiptarët, duke dyfishuar e trefishuar çmimet.
Jeni të njëjtit, që kurdoherë çmimi i naftës rritet në bursë, ju kurrë nuk e zbrisni, siç po bëni edhe tani;
Jeni po të njëjtit, që mbi 36 mijë tonë mish të skaduar po ua shisnit popullit shqiptar për ta helmuar;
Jeni po të njëjtit që mbyllët gati çdo fabrikë në Kosovë, për ta shitur për skrap, për t’i lënë pa punë dhjetëra mijëra veta, dhe dhjetëra mijëra familje pa bukë;
Jeni po të njëjtit, që një ari tokë e blinit më lirë, se sa një pjatë pasul (me mish e pa mish); Dhe pastaj po të njëjtën tokë për autostradë dhe rrugë të tjera, ia shisnit shtetit një mijë, dy mijë, pesë mijë herë më shtrenjtë;
Ju jeni po ata që për të njëjtën tokë, që e kishit blerë (thuaja falas) me 20-30 mijë apo 200 mijë euro, merrnit subvencione nga shteti, për disa nga ato ia dolët, që t’i lanit e shpëlanit dhjetë herë çmimin e blerjes;
Jeni po të njëjtit, që nga buxheti i shtetit, me tenderë dhe pa tenderë, i keni vjedhur deri në 300 milionë euro në vit kur qeverisnit ju;
Jeni po të njëjtit, që me qindra miliona euro i keni nxjerrë jashtë vendit;
Jeni po të njëjtit që keni investuar kryesisht në ndërtim në Shqipëri, në Mal të Zi, në vende të Europës, në Turqi, Dubai, dhe ku jo me qindra miliona euro;
Jeni po të njëjtit, që qindra miliona euro i keni vjedhur nga fondi i “Vendlindja thërret”;
Ju jeni po të njëjtit, që ende se keni kuptuar se fati i Kosovës, nuk përcaktohet nga Putini dhe Moska;
Ju jeni po të njëjtit që deshët t’i dhuroni toka Serbisë, që para dy shekujsh nuk ekzistonte, dhe shqiptarët ishin shumicë deri në Beograd! E Serbia e sotme, ka varrosur tri Kosova territor e popullatë shqiptare, duke i dëbuar masivisht ata, duke i vrarë masivisht (gjenocide të panumërta), dhe duke e asimiluar pjesën më të madhe të tyre.
Jeni po të njëjtit që realizuat planin e Serbisë, duke e shpopulluar Kosovën! Nga pas lufta mungojnë mbi një milion shqiptarë, që sot jetojnë larg atdheut, që ju ia dogjët vullnetin dhe dëshirat ia bëtë shkrumb!
Ju jeni po të njëjtit që e tradhtuat Ibrahim Rugovën dhe Adem Jasharin për interesat e juaja meskine, karrieriste dhe të pasurimit;
Jeni po të njëjtit që Adem Jasharin e braktisët në betejën vendimtare të tij dhe të gjithë familjes me mizorinë serbe!
E braktisët shtetin tonë paralel, për t’ia filluar ‘gjithëçkaje nga fillimi’!, e zhbëtë për të mos e bërë kurrë më një të vetëm dhe unik;
E kallët flakë Kosovën në trazirat e marsit 2004 për të ardhur sa më parë në pushtet, dhe i hapët rrugë propagandës serbe, të komprometimit të shqiptarëve, se po djegin ‘kisha serbe’, duke i bërë trashëgimtarë të kishave iliro-shqiptare vetëm ata;
E decentralizuat Kosovën sipas interesave serbe...
Sapo u arrit një njohje kompromisi e pavarësisë, i filluat negociatat e zhbërjes, ndarjes, copëtimit... bisedimet 12 vjeçare me Serbinë, thuajse ne i kemi pushtuar tokat serbe, dhe jo Serbia, a nuk e shpallet Leposaviçin, tokë serbe, dhuratë serbe... tokën e mbi 20 mijë vjetëve shqiptare... për kë punoni ju kështu, Anti-albanian real...!?
Redaksia e “Bota sot”