Kurti: Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë mban vulën e Albright

Aktuale

Kurti: Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë mban vulën e Albright

Më: 24 mars 2022 Në ora: 10:12
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kryekuvendarin Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe te busti i i ish Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë të mërkurën në moshën 87 vjeçare.

Pas homazheve, Kurti tha se ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë, me bombardime kundër Jugosllavicë dhe Serbisë së Millosheviqit, mban vulën e Albright, dhe për këtë, kryeministri tha se do t’i jemi përjetë falënderues e mirënjohës.

“Politika, diplomacia dhe historia, vështirë se do të kombinohen në një mënyrë më të përsosur se sa te personaliteti i jashtëzakonshëm i zonjës Albright. Ajo në politikë ishte historiane, në histori, diplomate, ndërkaq në diplomaci ishte politikane. Kur kemi parasysh përvojën e saj jetësore si emigrante hebreje në ShBA e cila fëmijërinë e ka kaluar gjatë luftës së dytë botërore dhe pastaj është shkolluar në vendin tempull të demokracisë është bërë sekretarja e parë e ShBA-ve grua, natyrisht se kemi të bëjmë me një figurë e cila nuk i takon vetëm shekullit 20, por edhe 21”, tha Kurti.

“Çdo herë kur fliste, vepronte ose shkruante, ishte aq profesionale në secilën prej asaj çfarë bënte e thoshte saqë nuk mund të quhet profesioniste për shkak të qenies së saj të gjithanshme. Dija e saj e thellë, mendja e mprehtë, dashuria e paepur për të drejtat e qytetarëve, orientimi i saj për demokracinë sociale e njohuritë e jashtëzakonshme për gjeopolitikën, e bëjnë personalitet i cili do të kumbojë gjatë jo vetëm në politikën dhe qeverisjen në ShBA e të Kosovës, por edhe në shumë vende të botës. Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë, me bombardime kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, padyshim se mban vulën e Albright dhe për këtë do t’i jemi përjetë falënderues e mirënjohës”, tha Kurti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat