​IKD: Rregullorja aktuale e Kuvendit parasheh probleme në aspektin juridik

Aktuale

​IKD: Rregullorja aktuale e Kuvendit parasheh probleme në aspektin juridik

Më: 29 mars 2022 Në ora: 13:04
Instituti i Kosovës për Drejtësi

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka prezantuar analizën “Rregullorja e re e punës së Kuvendit”, të cilën e ka vlerësuar si të nevojshme pasi që do të adresojë disa probleme që lidhen me funksionimin e tanishëm të Kuvendit dhe me parregullsitë në rregulloren aktuale.

Hulumtuesi i lartë IKD-së, Jeton Hasani, tha se rregullorja aktuale përfshin disa probleme në aspektin juridik.

Ai theksoi se draft-rregullorja e re e punës e Kuvendit parasheh sanksione financiare për deputetët që nuk njoftojnë për mungesa në seanca plenare apo mbledhje të komisioneve.

Hasani: Rregullorja aktuale e Kuvendit parasheh probleme në aspektin juridik

“Instituti i Kosovës për Drejtësi sapo mbajti konferencën ku u prezantua analiza jonë me titull ‘Rregullorja e re e punës së Kuvendit’, mes nevojës për efikasitet dhe respektim të Kushtetutës. Në këtë analizë ne vlerësojmë që është shumë e rëndësishme që të nxirret një rregullore e re e Kuvendit që do të adresonte disa probleme që lidhen me funksionimin e tanishëm të Kuvendit dhe që janë si rezultat i mangësive në rregulloren aktuale, mirëpo megjithatë ne theksojmë se krahas nevojës për efikasitet të Kuvendit edhe të respektohet korniza kushtetuese aktuale në Kosovë si dhe standardet më të mira ndërkombëtare. Në këtë drejtim kjo rregullore e re e Kuvendit përmban disa aspekte problematike në kuptimin juridik përfshirë dispozitat në kundërshtim me Kushtetutën”, tha ai.

Ai tha se rregullorja e re e Kuvendit do të themelonte edhe konferencën e kryetarëve e cila do të përbëhet nga kryetari i Kuvendit dhe kryetarët e të gjitha grupeve parlamentare po ashtu do t’i shtojë kompetenca shtesë seancës plenare për çështje procedurale.

Hasani: Me nxjerrjen e rregullores së re do të themelohet një institut i ri

“Vlen të përmendim se rregullorja e re e Kuvendit merr apo ndërhyn në kompetencat kushtetuese që i garanton kryetarit të Kuvendit si dhe kryesisë së Kuvendit në këtë drejtim pra kjo rregullore e re themelon konferencën e kryetarëve një institut i ri që themelohet në këtë rregullore si dhe i jep kompetenca shtesë seancës plenare të Kuvendit për çështje procedurale që lidhen me funksionim të Kuvendit. Dhe, këto kompetenca të konferencës së kryetarëve, përfshirë edhe ato të reja të seancës plenare ndërhyjnë si në kompetencat e caktuara të kryetarit të Kuvendit, këtu kemi parasysh kompetencat e tij për caktimin e rendit të ditës dhe thirrje të seancës plenare por ndërhyjnë edhe ën kompetencat e caktuara të kompetencës së përgjithshme të kryesisë së Kuvendit ku sipas Kushtetutës është përgjegjëse për funksionin administrativ të Kuvendit. Pra, në vend se kjo kryesi aktuale e Kuvendit të jetë kompetente për një gjë të tillë, rregullorja e re ia jep kompetencat konferencës së kryetarëve dhe seancës plenare të Kuvendit”, tha ai.

Sipas Hasanit rregullorja e re do të parasheh sanksione financiare në rastet kur kryetari i Kuvendit ose kryesuesi i komisionit parlamentar nuk njoftohen për arsyen e mungesës.

Hasani: Do të përfshihet sanksionimi financiar i deputetëve që mungojnë në punime të Kuvendit

“Një çështje tjetër që ia vlen të përmendet është se rregullorja e re përcakton edhe sanksionim financiar për deputetët që mungojnë dhe nuk janë korrekt për punime të Kuvendit dhe duke paraparë sanksione financiare në rastet kur nuk njoftohen për mungesën e tyre, megjithëse sanksionet e tilla janë të mirëpritura kjo rregullore dështon që të njoh format e veprimit legjitim politik që nuk kufizohen me pjesëmarrje fizike të deputetëve siç është çështja e bojkotit opozitar. Pastaj ka edhe paqartësi tek mekanizmi i njoftimit në kuptimin se a duhet thjesht të njoftohet kryetari i Kuvendit apo kryesuesi i grupit të komisionit parlamentar për mungesë apo duhet të shtrohen arsye përmbajtjesore se pse një mungesë e tillë do të ndodhë apo edhe ka ndodhë dhe problematikë është fakti se i gjithë ky proces i sanksionimit varet vetëm nga një individ dhe mund të lë hapësirë për keqpërdorime të caktuara”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat