Përfundojnë hetimet – thellohet skandali në burgun e grave në Lipjan

Aktuale

Përfundojnë hetimet – thellohet skandali në burgun e grave në Lipjan

Më: 29 mars 2022 Në ora: 16:38
Foto ilustrim

Katër kamera janë gjetura të vendosura në katër qeli të burgut të grave në Lipjan.

Ato janë vendosur në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, pa dijeninë e zyrtarëve të lartë të institucionit të burgjeve, ka konstatuar një vendim i Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), i publikuar të martën.

Sipas AIP-it, gjatë inspektimit është konstatuar se qelitë A3, B4, B5 dhe B16 kanë të instaluar vëzhgimin me kamerë të të burgosurave.

Tri nga katër qelitë e vëzhguara me kamera ishin të zbrazura.

Por, në qelinë B4 të burgut të grave, sipas gjetjeve të agjencisë, një e burgosur është vëzhguar me kamerë.

“Në qelitë ku bëhet vëzhgimi me kamerë ato janë të vendosura në këndin lartë, e që sipas AIP-së mbulon shtratin dhe dritaren e qelisë, por jo edhe tualetin dhe dushin. Hë hyrje të këtyre qelive QKF-ja ka vendosur shenjat paralajmëruese lidhur me sistemin e vëzhgimit me kamerë”, thuhet në vendimin e AIP-it.

Për ekzistencën e një vendimi me shkrim për instalimin e kamerave në qelitë e të burgosurave nuk ishte në dijeni asnjë zyrtar i lartë i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Nga zv.Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Agjencia është njoftuar se SHKK nuk ka dijeni se ka një vendim të tillë dhe se nuk ekziston ndonjë akt tjetër apo procedurë që ka paraparë instalimin e vëzhgimit me kamerë në këto qeli”, njofton AIP-ja.

Kësisoj, AIP-i ka urdhëruar burgun e grave në Lipjan që të nxjerrë vendim për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë. Ky vendim, sipas AIP-it, duhet të përfshijë “qëllimin e vendosjes, personin përgjegjës për mbikëqyrje të sistemit, kohën e ruajtjes së të dhënave deri tek shkatërrimi i tyre.”

Media ka raportuar në fillim të muajit shkurt të këtij viti për skandalin e vëzhgimit me kamerë të grave të burgosura në Lipjan.

Kamerat dyshohet se ishin vendosur në dhomat e pavijoneve të grave të burgosura në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

Po ashtu, mediumi raportoi ekskluzivisht se dy zyrtarë të ShKK-së janë suspenduar nga puna si pasojë e shpërfaqjes së skandalit.

Fatlinda Mustafa, ushtruese e detyrës së drejtoreshës në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan dhe Ilir Kelmendi, drejtor për Siguri në Shërbimin Korrektues (ShKK), vijojnë të jenë të suspenduar nga detyra shkaku i skandalit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat