​Dëshmitari: Nuk ka pasur njerëz të ndaluar në Zllash

Aktuale

​Dëshmitari: Nuk ka pasur njerëz të ndaluar në Zllash

Më: 21 prill 2022 Në ora: 19:02
Selatin Krasniqi

Dëshmitari i mbrojtjes së Salih Mustafës, Selatin Krasniqi është përballur me pyetjet e prokurorisë lidhur me objektet në pronësi të familjes së tij në Zllash, e të cilat u ishin dhënë në shfrytëzim Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka thënë se shtëpia e tyre në Zllash asnjëherë nuk ka shërbyer si burg për të mbajtur njerëz siç pretendon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Diskutimi është zhvilluar për disa minuta rreth ndërtesës së emërtuar si “4A”.

Për këtë, prokurori ka deklaruar që dëshmitari, gjatë intervistës së parë me mbrojtjen, nuk e kishte përmendur meqë sipas tij e dinte që nga ZPS thuhet se në atë ndërtesë janë mbajtur njerëz.

Por sipas Krasniqit, mos përmendja në skicë e kësaj ndërtese të quajtur “4A” ishte një lëshim pa qëllim duke shtuar që aty asnjëherë nuk janë maltretuar apo mbajtur njerëz.

Dëshmitari ka thënë se ndërtesa që në skicë e kanë quajtur “4”, ka qenë e pabanuar dhe e shkatërruar.

Pyetje-përgjigje:

Prokurori Deminiqes: Ju thatë se njerëzit mund të flinin kudo ku kishte vend, megjithatë ju thatë që ndërtesa 4A nuk është përdorur kurrë, sepse në prill të vitit 1999 është përdorur si burg apo jo?

Dëshmitari Krasniqi: Nuk e thash unë burg, ti po e thua atë.

Prokurori Deminiqes: Unë po e them dhe po ju pyes, po ju them është përdorur si burg dhe e dini shumë mirë

Dëshmitari Krasniqi: Në këtë shtëpi këtu kurrë nuk ka pasur burg dhe kush nuk ka mundur të thotë që ka pasur burg.

Prokurori Deminiqes: Ju që keni qëndruar në atë kompleks dhe e dini shumë mirë se aty janë mbajtur njerëz të ndaluar dhe kjo është arsyeja pse ju keni punuar me këtë hartë me orë të tëra dhe edhe pse u more me orë të tëra prapë nuk e përfshitë këtë ndërtesë në hartë. A nuk është kjo e vërteta?

Dëshmitari Krasniqi: E pse tani e përfshiva, pas disa ditësh, nuk kam fshehur asgjë.

Prokurori Deminiqes: Nuk e di, do ta shpjegoni ju këtë.

Dëshmitari Krasniqi: I kemi harruar disa detaje shumë të vogla dhe i kemi qitë pastaj prapë.

Prokurori Deminiqes: Kjo hollësi e vogël është kjo ndërtesa 4A që është ndërtesë e plotë.

Dëshmitari Krasniqi: Nuk ke përjetuar çka kemi përjetuar ne sepse e kishe harruar edhe emrin tënd, çka kam hequr unë, çka kam përjetuar unë dhe familja ime, gjithë Zllashi, gjithë populli i Kosovës, nganjëherë them qysh po e di edhe emrin tim. Me t’u vra njerëzit më të mirë, me t’u vra anëtarët e shtëpisë është shumë e vështirë, besoni trupi gjykues. Gruan e axhës, 65-vjeç, ma kanë plagosur. Ajo ka vdekur në Francë prej plagëve të serbëve, më kanë vdekur shokët.

Gjykatësja Folgia: Nuk i vë në dyshim këto që po thoni thjesht mos e merrni personale, po dëgjojmë dëshminë tuaj, por e kuptoj shumë mirë atë që po thoni.

Dëshmitari Krasniqi: Historikisht, edhe në ’99 kurrë nuk ka pasur njerëz të ndaluar në këtë shtëpi. E kam cekur edhe në deklaratë, e nderuar gjykatëse, se për dëshmi të rrejshme e di çfarë pasoja kam. E kam edhe në deklaratë të avokatit dhe deri në vdekje nuk mund ta pranojë sepse nuk ka pasur në atë shtëpi njerëz aty që po pretendon prokuroi i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Gjatë dëshmisë së tij, Krasniqi ka thënë se ishte anëtar i njësisë BIA. Ai ka thënë se pajtohet me deklaratën e Fatmir Sopit që guerilja BIA kishte qëndruar në shtëpinë e xhaxhait të tij, Adem Krasniqit.

Dëshmitari ka thënë se ushtarët e njësisë BIA qëndronin për dy apo tri ditë në Zllash pastaj ndërroheshin dhe vazhdonin në vende të tjera.

Gjatë dëshmisë së tij, Krasniqi ka thënë se në Zllash nuk ka marrë urdhra të prerë nga Salih Mustafa apo dikush tjetër, ndërsa ka shpjeguar punët të cilat i ka kryer aty.

Pyetje-përgjigje:

Prokurori Deminiqes: Asnjëherë nuk të ka thënë ai ty të besh diçka?

Dëshmitari Krasniqi: Jo

Prokurori Deminiqes: Por ti ishe një prej ushtarëve të tij...

Dëshmitari Krasniqi: Çka ka pas me më thënë kur unë kam qenë aty, aty nuk kemi pasur me liratë... Kam shku kam marrë dru, i kam ndez stufat, ka ardh dikush me çu me traktor diku prej fshatit në fshat, më ka thënë merre këtë ço atje, jam kthyer, prej 2 shkurtit ka filluar kuzhina në shkollë, kam shku me marrë bukën, ua kam pru kush ka qenë aty, njëherë më ka thënë dhe më nuk ka pasur nevojë me më thënë dikush unë e kam ditë çka kam me bë, nuk ka pasur urdhra të prerë.

Ndërsa prokurori e ka pyetur dëshmitarin nëse ndonjëherë është dënuar për vepër penale por diskutimi për këtë është zhvilluar në seancë të mbyllur.

Dëshmia e Selatin Krasniqit do të vazhdojë nesër në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ai është dëshmitari i 12 i mbrojtjes së Salih Mustafës.

Mustafa është arrestuar më 24 shtator 2020 me pretendimin për krime lufte. Ai po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat