Raci: Nuk mund të shkohet në Shtëpi të Bardhë vetëm për foto, pa pasë një qëllim të madh

Aktuale

Raci: Nuk mund të shkohet në Shtëpi të Bardhë vetëm për foto, pa pasë një qëllim të madh

Më: 26 prill 2022 Në ora: 18:48
Gazmir Raci

Analisti politik, Gazmir Raci, ka thënë që krerët e shtetit nuk mund të shkojnë në Shtëpi të Bardhë pa ndonjë qëllim të madh.

“Është me rëndësi të thuhet se në Shtëpi të Bardhë, ose vizita  të nivelit të lartë nuk realizohen vetëm sa për një foto, pa pasë një qëllim të madh – një mision. Nuk mund të hyhet në një takim të nivelit të lartë, pa pasë një ngjarje ose zhvillim që mund të ndodhë në shtetin tënd”, ka thënë Raci.

Tutje Raci tha se Kosova ka mjaft arsye për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë.

“Kemi qëllime dhe arsye për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë – në atë shtëpi është vendosur mbi fatin e popullit tonë dhe falë asaj shtëpie ne sot jemi shtet”, tha ai.

Raci duke komentuar vizitën e djeshme të dy zyrtarëve të lartë amerikanë të cilët qëndruan në Kosovë,  tha që është me rëndësi që dje nga ndihmës sekretarja e shtetit u rikonfirmua siguria e Kosovës.

“Dje nga ndihmës sekretarja e shtetit u rikonfirmua siguria e Kosovës dhe ishte një konfirmim i çeliktë, siç u quajt nga vetë ajo që tha që Kosova do të ketë një mburojë të çeliktë në aspektin e sigurisë së bashku me NATO-n dhe aleatët amerikanë – kjo është me rëndësi për Kosovën”.

“Ndërsa këto të tjerat janë elemente që e përbëjnë këtë mozaikun e dialogut dhe mendoj se ne tashmë do të hyjmë në një fazë kritike të dialogut, e cila mund të sjellë edhe takime të nivelit të lartë me presidentin Biden”.

“Zhvillimet e fundit gjeopolitike dhe invazioni rus në Ukrainë e ka bërë që SHBA-të të rrisin vëmendjen karshi zhvillimeve ndaj Ballkanit Perëndimor, jo vetëm në Kosovë por edhe në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut”.

RAci theksoi që Kosova nuk duhet të humbë këtë momentum të krijuar për shkak të luftës në Ukrainë.

“Por, Kosova nuk mund ta humbë këtë momentum të krijuar për shkak të luftës në Ukrainë  dhe duhet të jetë në koherencë të plotë me SHBA-të sa i përket qasjes së re. Siç duket amerikanët po rikërkojnë nga ne që të angazhohemi fuqishëm në dialog që të ecim drejt finales , sepse po shihet që dialogu teknik është vetëm humbje kohe dhe nuk po sjell rezultate”, tha Raci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat