Thaçi për vizitën e Kurtit në Gjermani: Ata që në të kaluarën nuk kanë lënë të zezë pa thënë për udhëheqësit...

Aktuale

Thaçi për vizitën e Kurtit në Gjermani: Ata që në të kaluarën nuk kanë lënë të zezë pa thënë për udhëheqësit...

Nga: M.L. Më: 5 maj 2022 Në ora: 14:31
Jusuf Thaçi

Publicisti Jusuf Thaçi ka komentuar vizitën e djeshme të kryeministrit Albin Kurti në Gjermani.

Thaçi në një postim në Facebook i ka quajtur “shterpë” kritikat ndaj kryeministrit për takimet dhe fotografitë e tij me presidentin serb. Kjo për aq kohë sa nuk nënshkruan marrëveshje të dëmshme me Serbinë.

Thaci ka thënë se ata që në të kaluarën nuk kanë lënë të zezë pa thënë për udhëheqësit shtetërorë të Kosovës vetëm pse janë takuar e kanë bërë fotografi me udhëheqësit e Serbisë tash duhet ta përjetojnë në lëkurën e vet atë që ua kanë bërë të tjerëve.

Postimi i plotë:

Tri fjalë për vizitën e kryeministrit Kurti në Gjermani dhe takimet e tij atje:

1. Për aq kohë sa kryeministri Kurti nuk nënshkruan me Serbinë marrëveshje të dëmshme për Kosovën, gjithë kritikat ndaj tij për takimet e fotografitë e tij me përfaqësuesin e Serbisë janë shterpe, pa përmbajtje, janë thjesht propagandë.

2. Pavarësisht pikës së mësipërme, ata që në të kaluarën nuk kanë lënë të zezë pa thënë për udhëheqësit shtetërorë të Kosovës vetëm pse janë takuar e kanë bërë fotografi me udhëheqësit e Serbisë (jo për marrëveshjet e dëmshme), tash duhet ta përjetojnë në lëkurën e vet atë që ua kanë bërë të tjerëve. Çdo e mbjellë do të korret!

3. Sapo të kthehet nga Gjermania, kryeministri Kurti duhet të raportojë para deputetëve në Kuvendin e Kosovës për gjithçka që ka ndodhur gjatë vizitës dhe takimeve në Gjermani, posaçërisht për diskutimet me palën serbe. Mungesa e transparencës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi duhet të marrë fund njëherë e mirë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat