Arratisen të dyshuarit për vrasjen e Hasan Berishës në Kaçanik

Aktuale

Arratisen të dyshuarit për vrasjen e Hasan Berishës në Kaçanik

Më: 10 maj 2022 Në ora: 16:55
Hasan Berisha dhe vëllai i tij, Kastriot Berisha

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka thënë se të dyshuarit për vrasjen në Kaçanik të Hasan Berishës, një burri rreth të 40-ave, gjenden në arrati.

Në një njoftim për media, Prokuroria tha se motivet për vrasjen e Hasan Berishës nuk dihen ende.

“Motivet për këtë ngjarje ende nuk dihen dhe të dyshuarit lidhur me këtë rast gjenden në arrati, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘Vrasja e rëndë’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, njoftoi Prokuroria.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa, personi tjetër i lënduar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, njoftoi Prokuroria.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së rrethanave të ngjarjes”, vijon njoftimi i Prokurorisë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat