​Gërvalla: Franca e përkrah anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Aktuale

​Gërvalla: Franca e përkrah anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Më: 13 maj 2022 Në ora: 18:02
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se nuk kanë hasur në asnjë rezistencë që i bën të kuptojnë se mund të rrezikohet procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ajo ka thënë se edhe nga përfaqësues të Francës i është thënë se e mbështesin Kosovën për anëtarësim në këshill. Gërvalla është përgjigjur edhe rreth deklaratave të zyrtarëve serb se katër shtete do të tërheqin njohjen e Kosovës për çka ka thënë se nuk kanë asnjë informacion zyrtar nga asnjë shtet.

Pasi e ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ministrja e Jashtme, ka thënë se kanë marrë mbështetje edhe me shkrim nga shumë shtete brenda këshillit.

Gërvalla ka thënë se ky është vetëm hapi i parë, ndërsa ka shtuar se mund të jetë një proces i gjatë. 

Gërvalla: Nuk kemi hasur në ndonjë rezistencë që mund të rrezikojë procesin e anëtarësimit 

“Nuk kemi hasur deri tani në asnjë rezistencë të besueshme që na bënë të kuptojmë që procesi mund të jetë i rrezikuar. Natyrisht që ne do të respektojnë të gjitha procedurat dhe do të jemi shumë të sinqertë dhe të përkushtuar dhe serioz gjatë këtij procesi dhe ne shpresojmë që Kosova t’i takojë atyre shteteve të cilëve iu është dashur një kohë më e shkurtër për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”, ka thënë Gërvalla. 

Ndërsa lidhur me deklaratën e ambasadorit të Francës në Beograd se nuk e përkrahin Kosovën në këtë drejtim, Gërvalla ka thënë se nuk e ka lexuar një të tillë por ka shtuar se nga përfaqësues të Francës e ka marrë mbështetje për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Gërvalla: Nuk kemi informacion zyrtar që Franca nuk e përkrah anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës 

“Unë kam biseduar me përfaqësues të ndryshëm të Bashkimit Evropian, ndër ata edhe me përfaqësues të Francës dhe neve na është thënë që Franca e mbështet anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, ne po punojmë me secilin shtet veç e veç, nëse Franca ndërkohë mund të ketë ndonjë dilemë, ne jemi shumë të gatshëm të bisedojmë me të por ne nuk kemi asnjë informacion zyrtar që Franca ka dilema rreth anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka thënë ajo. 

Ajo ka shtuar se përfshirja e Kosovës në KE, do të jetë kontribut i rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen në Ballkan.

Sipas saj, tani është koha për të marrë vendime që ajo i ka quajtur të duhura dhe për të shtrënguar radhët në mes të shteteve demokratike.

Ndërsa lidhur me deklaratat e zyrtarëve serbë se disa shtete e kanë tërhequr njohën për Kosovën, Gërvalla ka thënë se nuk ka asnjë informacion zyrtar.

Gërvalla: Nuk kemi informacion për çnjohje nga asnjë shtet 

“Ministri i Jashtëm i Serbisë që qenkan katër çnjohje, nuk kemi asnjë informacion nga asnjë shtet por edhe nga Serbia nuk i kemi. Fakti që vetëm pak orë pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ata thonë që i kanë gati katër çnjohje tregon dy gjëra, ose lajmi është i pavërtetë ose ata kanë shumë kohë që punojnë për çnjohje në dallim nga ajo që deklarojnë publikisht dhe ne është e vërtetë kemi pasur informacione nga shtete të ndryshme në kontinente të tjera që Serbia në asnjë moment nuk ka pushuar së punuari për çnjohje të Kosovës nga shtete të ndryshme, madje në shtete të ndryshëm të kontinentit afrikan ka pasur oferta të kombinuara të armëve ruse, të kombinuara me vaksina ruse dhe për çudi sheqer, kjo ka qenë oferta që i ëhstë bërë disa shteteve të cilat nuk e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Gërvalla. 

Ajo ka thënë së po punojnë në drejtim të njohjeve të reja por ka theksuar se po respektojnë rregullin e diplomacisë që të mos japin asnjë informacion deri në finalizimin e tyre.

Gërvalla theksoi se ka lajme të mira në këtë drejtim dhe ka shtuar se po punojnë në mënyrë të veçantë me pesë shtetet mosnjohëse në Bashkimin e Evropian. 

Këshilli i Evropës numëron 46 shtete anëtarë, ndërsa 31 prej tyre e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat