Ambasada e Francës: Vendimi për të aplikuar në KE i takon Kosovës si shtet sovran

Aktuale

Ambasada e Francës: Vendimi për të aplikuar në KE i takon Kosovës si shtet sovran

Më: 13 maj 2022 Në ora: 20:59
Ilustrim

Ambasada e Francës në Prishtinë ka deklaruar se vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran.

Sipas tyre, e ardhmja e Kosovës është të bëhet anëtare e tij.

“Prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre evropian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit”, thuhet në një postim të ambasadës në Facebook.

“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të angazhohen plotësisht në këtë drejtim dhe të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxisë tensione”.

Megjithatë, ambasadori francez në Beograd, Perre Cochard ka thënë se mbështesin përpjekjet e Miroslav Lajcak dhe ftesën që kancelari gjerman ua kishte bërë, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic, derisa ka thënë se aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka qenë vendim i njëanshëm dhe se Franca nuk e mbështet.

I pyetur nëse Franca do të votojë për hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, ambasadori Cochard tha se për momentin nuk është ngritur një pyetje e tillë, meqë do të kërkohet mendimi i Asamblesë Parlamentare dhe pastaj të rishqyrtohet kandidatura.

“Prioriteti i Francës është të bëjë gjithçka, së bashku me partnerët tanë evropianë, veçanërisht me Gjermaninë, për të vazhduar dialogun mbi baza të qëndrueshme dhe kjo është ajo që është urgjente. Pra, ne besojmë se lëvizjet e njëanshme nuk janë të dobishme dhe mund të mbytin një proces tashmë të ndërlikuar. e cila nuk ka përparuar shumë muajt e fundit”, është shprehur Cochard.

Të premten, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, deklaroi se do të jetë ndoshta për vendin, hapi më i rëndësishëm që nga pavarësia e vitit 2008 në rrugën tonë drejt rrugës evropiane.

Kryediplomatja kosovare tha se me anëtarësimin e Kosovës në KE fitojnë të gjithë dhe nuk humbet askush.

“Fitojnë edhe shqiptarët edhe të gjithë të tjerët, fiton edhe rajoni, shtetet e të cilit janë të gjitha anëtare të KE-së, fiton Këshilli duke e pranuar shtetin që është shndërruar në lider të demokracisë në rajon”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat