“Shqiponjat e zeza” emri i tmerrshëm për familjet Osaj, Musaj, Balaj, Idrizaj...

Aktuale

“Shqiponjat e zeza” emri i tmerrshëm për familjet Osaj, Musaj, Balaj, Idrizaj...

Nga: Idriz Morina Më: 16 maj 2022 Në ora: 13:43
Daut Haradinaj me Lah Ibrahimajn

Daut Haradinaj, e paska rigrumbulluar njësitin “Shqiponjat e zeza”! Natyrisht evokimi i kujtimeve të luftës është mbresëlënës dhe meriton respekt.

Por, takimet e tilla nuk rezultojnë të jenë të shpeshta apo të përvitshme.

Ai ka shkruar në një postim të tij se me 15 maj janë bërë 24 vjet nga formimi i këtij njësiti, që për shumë shqiptarë të asaj ane zgjon përveç respekt, edhe irritim, kujtime të rënda, bile nga më të këqijat.

Image
Takimi i djeshëm i "Shqiponjave të zeza"

Pse mungojnë Rizaj, Selimi...

Për shembull në mesin e “Shqiponjave të zeza” mungonte Begë Rizaj, i vrarë në Kumanovë në një aksion ende të padeshifruar, por ku shqiptarët vullnetarë të atdhetarizmit ranë edhe viktima të manipulimeve të përfituesve, mbase edhe të tregtarëve të gjakut.

Aty mungon edhe Ilir Selimi, ish pjesëtarë po i këtij grupi, që u vra pabesisht me shumë gjasë nga pjesëtarë apo nga ata që i angazhuan “Shqiponjat e zeza”!

Iliri u vra, pasi ishte bindur se duhej të dëshmonte, po kundër udhëheqësve të grupit të ‘Shqiponjave të zeza’, të cilët kishin vrarë pabesisht, katër ushtarë të UÇK-së, të njësive të FARK-ut, ushtarë të kolonel Tahir Zemajt menjëherë pas çlirimit.

Për vrasjen e katër ushtarëve të FARK-ut, përkatësisht të brigadës “Mërgimi” rreth datës 24 qershor 1999, Sinan Musaj, Rexhë Osaj, Bashkim Balaj dhe Ramë Idrizaj, pas dy ditë torturimesh, ndërsa kishte shpëtuar nga vrasja, Vesel Muriqi, me ndihmën e ish-pjesëtarit të “Shqiponjave të zeza”, Ilir Selimit, qe hapur procesi i njohur si “Çështja e Dukagjinit”, në të cilën Daut Haradinaj u dënua me pesë vjet, vetëm për bashkëpunim në vrasje. Pjesë e këtij procesi kishte qenë fillimisht edhe Ramushi, por hetimi ndaj tij qe ndërprerë. Procesi u rihap në vitin 2002 nga një prokuror ndërkombëtar.

Vrasja e Sinan Musajt, ishte burimi i shumë vrasjeve zinxhirore, Musaj-Haradinaj, që përshkruhet edhe si konflikti i Deçanit, edhe pse disa hetime të kryera nuk i kanë ndërlidhur drejtpërdrejt vrasjet ku kanë mbetur viktima anëtarë të të dyja familjeve.

Pas plagosjes së Ramushit me granatë dore, kur ai u kishte shkuar në shtëpinë e tyre në Strellc, më 7 korrik të vitit 2000 me një grup nga “Shqiponjat e zeza”, në orën 1 pas mesnate, kinse për tu marrë vesh, ky ka deklaruar në media se dëshironte paqe, dhe se e kishte pranuar gabimin për atë natë.

Por, pas atij incidenti u vranë brenda disa muajsh edhe dy vëllezërit Musaj, Sadiku figura kryesore e asaj familje me 2 shkurt 2005, dhe Xheladini me 11 korrik, që ishte ekzekutuar disa metra afër vendit ku ishte vrarë vëllai i haradinajve Enveri, dy muaj pas vrasjes së Sadikut.

Disa konflikte të tjera kanë ndodhur, edhe gjatë luftës, edhe më pas ngjarjeve të pëmendura.

Në vitin 2002, i qe vënë poshtë makinës një bombë një dëshmitari. Ndërsa, një vit më pas, me 4 janar dëshmitari i procesit të “Grupit të Dukagjinit”, Tahir Zemaj u vra në afërsi të kombinatit të Drurit, ndërsa vrasësit ishin larguar drejt Fabrikës së Birrës, në hyrje të Pejës.

Image
Idriz Balaj "Togeri"

I urrenin institucionet e Republikës së Kosovës

Përveç Daut Haradinaj të akuzuar në “Grupin e Dukagjinit”, ishte edhe Idriz Balaj i njohur me nofkën “Togeri”, i dënuar me vendim të formës së prerë dhe më pas, i dënuar edhe nga Tribunali i Hagës.

Idriz Balaj, alias “Togeri” ishte komandant i “Shqiponjave të zeza”, i dyshuar dhe dënuar për përfshirje në raste krimi si rrëmbim, vrasje, zhdukje, etj.

Sipas dëshmive të botuara nga protagonistë të luftës në Dukagjin, në një rast në vitin 1998, shumë shpesh të botuar në media viteve të fundit, katër ushtarë të UÇK-së të njësive të FARK-ut, pabesisht ishin ndaluar, rrahur dhe njëri prej tyre ishte plagosur.

“Ushtarët kanë deklaruar se në aktin e plagosjes ka marrë pjesë edhe vet Ramush Haredinaj. Fillimisht ushtarët janë goditur me sende të forta nga “Togeri”, por edhe nga Ramushi bashkë me vëllain e vet. Më pas luftëtarët janë detyruar nga këta persona të largohen nga Gllogjani dhe të kthehen në drejtim të Isniqit. Ata janë zhveshur dhe detyruar të ecin para një makine që i ndiqte nga prapa, makinë të cilën e ngiste “Togeri”. Në Isniq kanë mbërritur rreth orës 22.00, pas pak ka mbërritur edhe Ismet Çeku i plagosur në krah të djathtë me armë zjarri, Azem Gashi në këmbën e djathtë po me armë zjarri, Idriz Ukëhaxhaj i lënduar në pjesën e prapme të kokës, Petrit Lokaj me lëndime më të lehta”, thuhet në dëshminë e Tahir Zemajt.

Ata nuk ishin mjaftuar vetëm me dhunën fizike, por edhe i kishin sharë e fyer.

“Në deklaratat e tyre thuhet se sulmuesit i kanë fyer rëndë dhe se gjatë kohës kanë përdorur shprehje ofenduese në drejtim të institucioneve të Republikës së Kosovës. Menjëherë, bashkë me disa bashkëpunëtorë, jam nisur për në Gllogjan për të sqaruar ngjarjen. Në bisedë me Ramushin, ai ka kërkuar falje dhe i ka arsyetuar ato veprime si një gabim, që kishte rrjedhë nga disa sjellje të luftëtarëve – krejtësisht një gjë e paqartë”, ka dëshmuar sipas ditarit të tij, Nazif Ramabaja, zëvendës i Tahir Zemajt, asokohe.

Pas ngritjes së aktakuzës ndaj Ramush Haradinajt në vitin 2005, sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Peja dhe Deçani ishin në prag të shpërthimit:

“Dy komunat më veriore të Dukagjinit, Peja dhe Deçani, kanë paraqitur rreziqe akute të sigurisë pas akt-akuzës së Haradinaj. Në fillim të prillit 2005, një zyrtar i njohur i UNMIK-ut tha se Peja kishte qenë “një telefonatë larg nga katastrofa”. Në fund të dhjetorit 2004 një polic i UNMIK-ut e kishte vërejtur se “realiteti në Pejë dhe Dukagjin është shumë ndryshe nga pjesa tjetër e Kosovës… Mund të shpërthejë për dy minuta… Ne nuk kemi kontakte me popullatën… “Është e pamundur të flitet me shqiptarët tani në Dukagjin”. Por këto kërcënime rrezikonin të përfshinin edhe pjesën tjetër të Kosovës. Ditët e para pas ngritjes së akt-akuzës (ndaj Haradinajt), duket të ketë pasur një lëvizje të madhe armësh nga Peja në qendrat e tjera urbane, përfshirë edhe Prishtinën… Punëtorët e dyqaneve dhe kioskave në kryeqytet vënë re një fluks të pazakontë burrash “të ashpër dhe të vrazhdë” (citim sipas Michael O’Reilly).

Kohë më parë Daut Haradinaj dhe Agim Çeku e kanë krijuar edhe “Kodin e gjeneralit”, një grupim, i panjohur në praktikën e pensionimit të veteranëve.

A po mundohet Dauti ta paraqesë një forcë të ngjashme me rigrumbullimin e ‘Shqiponjave të zeza”, mbetet të shihet në ditët apo javët në vazhdim?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat