Gjykata Speciale shpall fajtorë Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin, dënohen me nga 4.5 vjet burg

Aktuale

Gjykata Speciale shpall fajtorë Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin, dënohen me nga 4.5 vjet burg

Më: 18 maj 2022 Në ora: 07:32 Përditësuar në ora: 13:24 më 18.05.2022
Foto ilustrim

​Gucatit e Haradinajt do t’iu llogaritet periudha e kaluar në paraburgim

Para shpalljes së vendimit me nga 4.5 vjet burg për Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, trupi gjykues ka thënë se të akuzuarit janë përgjegjës për vepra të rënda penale që rrezikojnë administrimin e drejtësisë dhe se ka konstatuar që të njëjtit nuk treguan shqetësim për pasojat e mundshëm të veprimeve të tyre.

Trupi gjykues ka ardhur në përfundim se ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kanë bërë zbulimin e informacioneve të mbrojtura duke u dhënë në dispozicion gazetarëve dosjet që kishin arritur nga persona të panjohur në zyrat e OVL-UÇK-së.

Sipas trupit gjykues materiali në fjalë ishte autentik dhe u përkiste dokumenteve të hetimeve të TFHC-së ose ZPS-së.

Kryetari i turpit gjykues, Charles L. Smith III ka thënë se kjo çështje ka të bëjë me integritetin e procesit gjyqësor.

Smith: Trupi gjykues konstaton se të akuzuarit zbuluan të dhënat persona të dëshmitarëve

“Trupi gjykues konstaton se të akuzuarit zbuluan identitetet ose të dhënat personale të dëshmitarëve dhe dëshmitarëve të mundshëm të marrë në mbrojtje nga TFHC dhe ZPS, në të njëjtën mënyrë siç zbuluan informacionin e mbrojtur, gjithashtu të akuzuarit përmenden se në tri grupet me dokumente ishin emra, vendbanime të mëparshme dhe aktuale, numra të telefonave, përkatësi etnike, vendet ku ishin zhvilluar intervistat dhe përmbajtja e deklaratave të dëshmitarëve, ata gjithashtu ftuan gazetarët që të njeheshin me këtë informacion”, ka thënë gjykatësi.

Sipas trupit gjykues, të akuzuarit vepruan me synim të drejtpërdrejt për zbulimin e informacionit të mbrojtur.

Trupi gjykues ka thënë se ka arritur në përfundim se veprat e të akuzuarve shkaktuan pasoja të rëndë për dy dëshmitarë që u zhvendosën dhe për së paku një person që u përmend publikisht si dëshmitar.

Smith: Veprimet e të akuzuarve shkaktuan kërcënim të rëndë

“Trupi gjykues konstaton se veprimet dhe deklaratat e të akuzuarve shkaktuan kërcënim të rëndë, i cili do të kishte krijuar frikë dhe shqetësime të rënda për shumë dëshmitarë apo dëshmitarë të mundshëm. Gjithashtu, trupi gjykues është bindur se të akuzuarit e përdorën këtë kërcënim të rëndë me synimin e drejtpërdrejtë për t’i frikësuar dëshmitarët dhe dëshmitarët e mundshëm dhe për asnjë për t’i bërë të ngurronin që të jepnin informacion në hetimet lidhur me ish- anëtarët e UÇK-së. Sjellja e të akuzuarve ishte mjet që shërbente për një qëllim për të penguar hetimet dhe ndjekjet penale të efektshme të ish anëtarëve të UÇK-së nga ZPS”, ka thënë Smith.

Por, trupi gjykues nuk është bindur nga provat e ZPS-së se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kishin kryer veprën penale të hakmarrjes.

Smith: ZPS s’ka arritur të vërtetojë se të akuzuarit kryen veprën penale të hakmarrjes

“Trupi gjykues thekson se pretendimet e të akuzuarve se dëshmitë e dëshmitarëve ishin të pavërteta nuk vërtetojnë në vetvete që të akuzuarit e besonin këtë gjë, sidoqoftë turpi gjykues thekson se ZPS nuk paraqiti ndonjë provë për ti kundërshtuar këto deklarata, kjo nuk vë në asnjë mënyrë në pikëpyetje besueshmërinë e dëshmitarëve apo dëshmitarëve të mundshëm, emrat e të cilëve përmendeshin në informacionin e mbrojtur. Është barra e ZPS-së të vërtetojë se të akuzuarit ishin të vetëdijshëm se informacionet e dëshmitarëve kishin të paktën në një farë mase vërtetësi, ZPS nuk arriti të vërtetonte se të akuzuarit ishin të vetëdijshëm për këtë, për këtë arsye trupi gjykues konstaton se ZPS nuk ka arritur të vërtetojë se të akuzuarit vepruan me synimin e nevojshëm ndaj cilido prej dëshmitarëve të cilave i zbulonin identitetin ose të dhënat personale rrjedhimisht trupi gjykues konstaton se ZPS nuk ka arritur të vërtetojë përtej dyshimit të arsyeshëm veprën penale të pikës 4 (hakmarrjes) në lidhje me dy të akuzuarit”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Trupi Gjykues i ka shpallur fajtor Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn duke i dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe nga 100 euro gjobë. Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë shpallur të pafajshëm për një pikë të aktakuzës që është vepra penale e hakmarrjes.

Në dënimin me burgim, të akuzuarve do t’u llogaritet periudha e kaluar në paraburgim nga shtatori 2020. Arrestimi i tyre dhe hapja e procesit gjyqësor ishte bërë pasi disa dokumente kishin arritur në zyrat e OVL-UÇK, nga persona ende të panjohur, ndërsa këtë ngjarje krerët e organizatës e kishin bërë të ditur përmes konferencave për shtyp

Gucati e Haradinaj shpallen fajtor nga Specialja, dënohen me nga 4 vjet e gjysmë burg

Gjykatësi Charles Smith, ka thënë se ZPS-ja e shpallë fajtor Hysni Gucatin për veprat penale për të cilat akuzohet.

Gjatë leximit të vendimit Smith ka kërkuar nga Gucati që të ngritët në këmbë. ZPS e ka shpallur Gucatin të pafajshëm vetëm për një pikë të aktakuzës.

Ai u dënua me 4 vjet gjysmë burgim duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim dhe një gjobë prej 100 eurove.

Specialja e ka shpallur fajtor edhe Nasim Haradinajn për veprat penale të cilat akuzohet. Haradinaj është shpallur i pafajshëm për pikën 4 “hakmarrje”.

Haradinaj gjithashtu është dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim si dhe me një gjobë prej 100 eurove.

Pas leximit të vendimit, seanca ka përfunduar.

Hysni Gucati dënohet me 4 vjet e gjysmë burgim

Kreu i OVL të UÇK-së, Hyseni Gucati është shpallur fajtor nga Gjykata Speciale për disa nga pikat e aktakuzës që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë, shkeljes së fshehtësisë së procedurës e pengim të personave zyrtar.

Kryetari i trupit gjykues shpalli aktgjykimin. Gucati u dënua me 4 vjet e gjysmë burgim, duke llogaritur kohën e paraburgimit dhe një gjobë prej 100 eurosh.

Gucati shpallet fajtor nga Specialja

Trupi gjykues i Gjykatës Speciale ka konstatuar se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë kryer veprën e zbulimit të informacioneve të mbrojtura me publikimin e dokumenteve të kësaj gjykate.

Sipas trupit gjykues, vepra u krye duke ua ofruar gazetarëve dokumentet e duke inkurajuar dorëzimin e dokumenteve të ngjashme edhe më tej. Sipas tij, synimi i Gucatit e Haradinajt ka qenë zbulimi për informacion të mbrojtur.

Trupi gjykues gjithashtu ka thënë se deklaratat e Gucatit dhe Haradinajt përbënin kërcënim të rëndë dhe veprime të dëmshme për cilindo person.

Gjithashtu u tha se të akuzuarit tentuan të pengonin zyrtarët e ZPS-së në kryerjen e detyrave zyrtare.

“Të akuzuarit gjithashtu deklaruan se dështimi i Dhomave të Specializuara është i qartë. Trupi gjykues konstaton se të akuzuarit kanë përmbushur formë të rëndë të veprës penale, duke penguar personat zyrtarë të ZPS-së”, u shpreh gjykatësi.

Trupi gjykues ka konstatuar se Haradinaj dhe Gucati janë penalisht përgjegjës si bashkëkryerës për veprat penale në pikat 1,3, 5 dhe 6, si dhe përgjegjës për kryerës invidual për veprën penale të pikës 2.

Gjykata Speciale: ZPS s’ka vërtetuar se Gucati e Haradinaj e kryen këtë vepër penale

Trupi gjykues ka konstatuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka vërtetuar se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj e kanë kryer veprën penale të hakmarrjes ndaj dëshmitarëve.

Kryetari i trupit gjykues tha se “ZPS-ja nuk paraqiti asnjë provë” për t’i bazuar akuzat në lidhje me këtë vepër penale.

Ai tha se “ZPS-ja nuk arriti të vërtetojë se të akuzuarit vepruan me synimin e nevojshëm ndaj cilitdo prej dëshmitarëve”.

“Rrjedhimisht trupi gjykues konstaton se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë veprën penale të pikës 4 në lidhje me të akuzuarit”, theksoi gjykatësi.

Kryetari i trupit gjykues: Jemi bindur se Gucati e Haradinaj kryen vepër penale

Kryetari i trupit gjykues e ka nisur me akuza seancën e sotme të Gjykatës Speciale, ku pritet të shpallet aktgjykimi ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Gjykatësi tha se veprimet dhe sjelljet e të akuzuarve e kanë sfiduar punën e gjykatës, ndërsa më pas lexoi konstatimet e trupit gjykues.

Ai tregoi se si Gucati e Haradinaj “morën pjesë në më shumë se 20 intervista në media”.

Për materialin e publikuar, gjykatësi tha se të akuzuarit kanë bërë “komente nënçmuese” për dëshmitarët, pavarësisht paralajmërimeve.

Duke lexuar konstatimet e trupit gjykues, kryetari tha se të akuzuarit lejuan dhe shpërndanë dokumente konfidenciale të gjykatës, duke kryer vepër penale.

“Trupi gjykues është bindur se të akuzuarit vepruan me synim të drejtpërdrejt me synim të zbulimit të informacionit të mbrojtur”, tha ndër tjerash kryetari i këtij trupi.

Gjykatësi tha ndër tjerash se “ZPS-ja e ka vërtetuar veprën penale”.

Ai tha se “veprat e të akuzuarve shkaktuan pasoja të rënda”, duke përmendur dy dëshmitarë, që tha se “u zhvendosën”.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 26 shtator 2020 me urdhër të Gjykatës Speciale. Ata u akuzuan për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Nis seanca e Speciales ku do të shpallet aktgjykimi për Gucatin e Haradinaj

Ka nisur seanca ku Gjykata Speciale do të shpall aktgjykimin në çështjen kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Seancën mund ta ndiqni këtu: https://streaming.scp-ks.org/sq/index.html

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar që Hysni Gucati e Nasim Haradinaj të dënohen me nga 6 vite burgim dhe nga 100 euro gjobë.

Të akuzuarit vazhdojnë të gjenden nën masën e paraburgimin në selinë e paraburgimit në Hagë dhe tanimë janë në pritje të shqiptimit të vendimit të gjykatës.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat