Edhe një shtet tjetër mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Aktuale

Edhe një shtet tjetër mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Më: 19 maj 2022 Në ora: 14:08
Foto nga takimi

Kosova ka marrë mbështetjen e Finlandës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE).

Kjo është bërë e ditur nga Sekretarja e Shtetit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës, Johanna Sumuvuori, pas takimit që ka zhvilluar me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti.

Sumuvouri ka thënë se Finlanda e përkrahë plotësisht Kosovën në rrugën e saj evropiane.

“Diskutime të shkëlqyeshme me zëvendësministrin e Kosovës në çështje të ndryshme, përfshirë vendimin e Kosovës për të aplikuar në Këshillin e Evropës. Finlanda përkrahë plotësisht përpjekjet e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, ka shkruar ajo në rrjetin social Twitter.

Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka dorëzuar fizikisht aplikimin në këtë institucion.

Njohësit e integrimeve evropiane kanë deklaruar për Telegrafin se gjasat që Kosova të marrë përgjigje pozitive për anëtarësim në këtë institucion janë reale dhe të pritshme, por janë shprehur skeptikë që kjo çështje do të marrë epilog gjatë vitit 2022.

Këshilli i Evropës ka 46 shtete anëtare. Për t’u anëtarësuar, Kosovës i duhen 2/3 e votave të vendeve anëtare. Shpresat për pranim janë shtuar pas largimit të Rusisë nga ky mekanizëm.

Vlerësohet se përfitimi kryesor i një anëtarësimi të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë për qytetarët pasi ata do të kenë qasje në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut. Pos kësaj është edhe aspekti diplomatik dhe politik i afirmimit të shtetësisë së Kosovës. Shtetasit e Kosovës do të mund t’i drejtoheshin këtij institucioni nëse do të mendonin se u janë shkelur të drejtat e tyre nga shteti i Kosovës apo cilido shtet anëtar i Këshillit. Mirëpo, kjo mund të arrihet vetëm kur janë shterur të gjitha mundësitë ligjore brenda vendit.

Për këtë rrugëtim Kosova ka marrë mbështetjen edhe të dy shteteve të fuqishme, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, por jo edhe të Francës, e cila është shprehur skeptike.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat