Ky është amerikani që e alarmoi Presidentin Bill Clintonin për çështjen e Kosovës

Aktuale

Ky është amerikani që e alarmoi Presidentin Bill Clintonin për çështjen e Kosovës

Më: 24 maj 2022 Në ora: 18:21
Christopher Hyland

Ish-zëvendësdrejtori politik kombëtar i fushatës së parë të ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, Christopher Hyland, ka treguar se si ka mësuar për Kosovën dhe situatën e vështirë në të cilën ishte.

“Së pari e kam takuar Fan Nolin dhe Antoni Athines kur isha djalë i ri. Antony Athines ishte një mik i prindërve të mi. Dhe kur Bill Clinton i hyri garës për president më përzgjodhi mua si përgjegjës për krejt grupet etnike në Amerikë. Dhe kështu e njihja komunitetin shqiptar. Dhe në fakt në vitin 1991 këshillova presidentin, që po që se do të zgjidhej, në fjalimin e tij të dytë për politikën e jashtme Kosova të njihet si shtet i pavarur”.

Ai, në një intervistë ekskluzive për Klan Kosovën, tregoi se si e kishte njoftuar Bill Clintonin për çështjen e Kosovës dhe si e kishte bindur se duhet ta njihte këtë shtet.

Epo herën e parë kur bisedova me të ai vetëm më shikoi dhe po e mori porosinë time që Kosova duhet të njihet, gjë për të cilën unë ia thash dhe ia shkrova në  letër para se të mbante fjalimin për politikë të jashtme dhe ai e mori në konsideratë, por në herën e parë nuk është se e bëri dhe prapë bisedova me të kur ishim në mes të fushatës në Atlanta për situatën në Kosovë e në Shqipëri”.

Hyland tha se u përkujdes që t’ia bënte të qartë Clintonit se sa shumë e mbështesnin kandidaturën e tij për president kosovarët dhe shqiptarët që jetonin në Amerikë.

Ai po ashtu tregoi një detaj interesant se si e kishte njoftuar Bill Clintonin me Ibrahim Rugovën, derisa përmend edhe Jim Xhemën për të cilin thotë se është një prej themeluesve të Kosovës.

“Ia bëra të qartë se komuniteti i kosovarëve dhe i shqiptarëve në Amerikë, diaspora e tyre, fuqishëm e mbështesin atë. Ata po bënin fushatë në New Hempshire, po krijonin fonde, po organizonin fushatë kudo në rrafshin kombëtar, si kosovarët ashtu edhe shqiptarët, për Bill Clintonin. Unë doja që ai të ishte në dijeni për këtë mbështetje të madhe që e ka. Dhe personalisht e njoftova me liderët kosovarë në Amerikë, si Jim Xhema që në opinionin tim në shumë mënyra është një prej themeluesve të Kosovës. Doktor Ibrahim Rugova, të cilin e takova krahas Jim Xhemës, që e njoftoi atë me Hillary Clinton. Dhe pastaj në baza të rregullta e kam njoftuar për situatën e Kosovës dhe të shqiptarëve në vazhdimësi”.

Presidentja Vjosa Osmani, në Ditën e Presidentit, në shenjë mirënjohjeje për kontributin për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, e dekoroi Christopher Hyland me “Urdhrin Dr. Ibrahim Rugova”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat