​Trusti është i joni, jo i qeverisë

Aktuale

​Trusti është i joni, jo i qeverisë

Më: 26 maj 2022 Në ora: 12:45 Përditësuar në ora: 14:23 më 26.05.2022
Foto ilustrim

​Me protestë kërkohet lejimi i tërheqjes nga Trusti, qytetarët paralajmërojnë se do ta bllokojnë Qeverinë

Dhjetëra qytetarë protestuan të enjten para ndërtesës së qeverisë, ku kanë kërkuar nga pushteti ta votojnë Ligjin për fondin pensional, në mënyrë që të bëhet e mundshme tërheqja e 10-30% të kursimeve nga Trusti.

Duke brohoritur “Trusti është i joni jo i qeverisë” qytetarët kanë thënë për Kosovapress se është koha më e duhur për të bërë tërheqjen e mjeteve të tyre nga Trusti pasi që pagat janë të ulëta dhe se ka ndikuar edhe rritja e çmimeve të produkteve bazë.

Bajram Bajrami, i cili është punëtor i sektorit privat ka thënë për Kosovapress se nëse nuk votohet në Kuvend lejimi për tërheqjen e Trustit, në protestat e tjera do ta bllokojnë hyrjen e Qeverisë. Ai bëri te ditur se paga e tij është 250 euro derisa shtoi se tërheqja e mjeteve nga trusti do t’i ndihmojë sado pak.

Bajrami: Nëse nuk na lejohet tërheqja e trustit, në protestat e tjera do ta bllokojmë parlamentin

“Është e nevojshme për neve se duke i parë çmimet që kanë shkuar në hava, rrogat kanë mbetur shtret për toke domethënë të gjithë kemi nevoj, për ata kemi dalë këtu me protestu ndoshta do të reflekton kjo protestë paqësore mos t ‘na shtin në tjerat me pas në mënyrë radikale në mënyrë më të dhunshme ndoshta me blloku parlamentin, rritja e çmimeve janë tre fishuar, unë punoj në një kompani të sigurimeve me gjithë se nuk kemi rroga 250 euro nuk janë mbetur rrogë, jo po kemi obligime, punoj prej 2005’ës i kam dikun 5000 mijë e diçka euro por me na leshu 30% na kishin ndihmu” tha Bajrami

Ndërsa njëri nga protestuesit ka akuzuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti se ai ka shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me para të qytetarëve.

Qytetari: Albin Kurti ka shku ne Amerikë me paratë tona

“Me paratë tona ai i qet jashtë, njerëzit nuk kanë pare, nuk është për shtet, populli nuk i beson. Ai se di pse rrin aty, i ka tradhtuar hallkun, u ka thanë ‘ama votën ta rriti rrogën, ta rriti pensionin, ta rriti ata’ asnjërën hiç, shkon e rrin nëpër Amerikë andej-këndej, kush tybe nuk i ka dalë”, tha një qytetar.

Në këtë protestë pjesëmarrës ishin edhe deputetë të dy partive opozitare, të PDK-së dhe AAK-së, Bekim Haxhiu, Pal Lekaj, Besnik Tahiri, Time Kadrijaj, Shemsedin Dreshaj dhe Albana Bytyqi.

Deputeti Haxhiu, i cili është edhe iniciues i ndryshimeve ligjore që lejojnë tërheqjen nga Trusti, tha për Kosovapress se do të mundohet edhe në Kuvend t’i bind deputetët ta votojnë tërheqjen e Trustit.

Haxhiu: Do të mundohem ta bindi çdo deputet të votojë kërkesën e qytetarëve për tërheqjen e mjeteve të Trustit 

“Gjatë muajve të fundit kam qenë zëri i qytetarëve sa i përket kërkesës së Trustit. Normalisht edhe sot kam qenë me ta në këtë protestë për t’i mbështetur ata me kërkesat e tyre. Të njëjtën punë do ta bëj edhe në Kuvend që të loboj me çdo deputet me i bind me votu këtë kërkesë të qytetarëve”, tha Haxhiu.

Nexhat Llumnica nga sindikata e punëtorëve të KEK-ut gjatë protestës ka thënë se 90% të punëtorëve kanë nevojë për mjetet e Trustit.

Llumnica: Mbi 90% e punëtorëve në KEK kanë nevojë për tërheqjen e mjeteve nga Trusti:

“Ne si sindikatë e re e korporatës energjetike të Kosovës kemi bërë disa sontazhe në punëtorë. Mbi 90% e punëtorëve e shprehin vullnetin e tyre për tërheqjen e këtyre mjeteve sepse dihet gjendja e tyre, sepse dihet në çfarë kohe kemi kaluar kjo kohë e rëndë, e vështirë kjo gjendje socio-ekonomike, pas pandemike me të vërtetë punëtorët kanë nevojë për tërheqjen e këtij trusti, kjo nuk iu ndihmon vetëm punëtorëve do t’iu ndihmojë qytetarëve të Kosovës duke pasur parasysh se lirohen një pjesë e madhe e parave tona. Ato janë kursime tona, ato nuk janë mjete të qeverisë pse mos të na lejohet të vendosim ashtu sic kemi dëshirë ata të cilët nuk kanë dëshirë ti tërheqin këto mjete le ti lejnë ato por ne kemi shumë deputetë të cilët nuk e kanë votuar këtë trust herën e kaluar por i kanë tërhekur ato mjete” tha ai.

Protesta ka përfunduar e qetë dhe pa incidente.

Me këtë thirrje qinda qytetarë kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës. Ata kërkuan që t’iu mundësohet tërheqja e 10-30 % të Trust-it. 

Qytetarët kërkuan edhe nga partia opozitare të votohet, duke thënë se 90% e qytetarëve janë të interesuar të tërheqin kursimet e tyre pensionale. 

Kryetari i sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica ka thënë se deputetët nëse janë të popullit, duhet ta votojnë Trustin.

Të pranishëm në këtë protesta ishin edhe deputetët nga radhët e AAK’së dhe PDK’së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat