Osmani: Kosova, mishërim i vlerave të cilat i përfaqëson Këshilli i Evropës

Aktuale

Osmani: Kosova, mishërim i vlerave të cilat i përfaqëson Këshilli i Evropës

Më: 2 qershor 2022 Në ora: 20:50
Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim Komisioneren për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq. Në takim me Komisioneren Mijatoviq, Osmani ka përmendur progresin e institucioneve të vendit në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë, duke përfshirë kornizën kushtetuese dhe ligjore, e cila është shumë e avancuar dhe plotësisht e harmonizuar me të gjitha konventat ndërkombëtare.

Presidentja Osmani dhe Komisionerja Mijatoviq kanë diskutuar edhe për përpjekjet e vazhdueshme të shtetit tonë në luftimin e dhunës në familje, avancimin e të drejtave të grave dhe komuniteteve joshumicë dhe avancimin e sundimit të ligjit.

Presidentja Osmani po ashtu e ka njoftuar Mijatoviq për të gjitha veprimet institucionale për fuqizimin ekonomik të grave, si dhe angazhimin që është duke u bërë në përkrahje të kategorive të margjinalizuara të shoqërisë.

Presidentja Osmani ka përmendur edhe rëndësinë që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës si hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut, duke theksuar se Kosova është mishërim i vlerave, të cilat i përfaqëson Këshilli i Evropës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat