​Lista e dëshmitarëve përplas Komisionin e pozitës për Energji

Aktuale

​Lista e dëshmitarëve përplas Komisionin e pozitës për Energji

Më: 17 qershor 2022 Në ora: 15:59
Foto nga mbledhja e komisionit

Këtë të premte Komisioni Hetimor për Energjinë i pozitës ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën është kërkuar që të votohet lista me emrat e dëshmitarëve që do të ftohen për intervistim. Në kuadër të kësaj mbledhje është kërkuar përsëri nga deputetë e mazhorancës që të përfshihen në intervistim të gjithë bartësit dhe ish-bartësit e institucioneve duke përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin. Në listë figuronte edhe emri i ish-kreut të Kuvendit, Kolë Berisha, i cili ka ndërruar jetë, e kjo ka bërë që edhe këtë radhë të mos votohet lista e dëshmitarëve duke u shtyrë për një mbledhje tjetër.

Beqa ka kërkuar nga anëtarët e pozitës të largohen emrat e personave nga lista të cilët janë në Hagë e që nuk mund të paraqiten fizikisht për të dhënë dëshmitë e tyre në këtë komision.

Beqaj: Kërkojmë të mos përfshihen në listë personat që janë në Hagë

“Nuk jemi ka dëshirojmë asnjë person, çfarëdo subjekti që i takon, për ta ftuar ose mos ta ftojmë, unë e them me përgjegjësi të plotë të gjithë ata që mendojnë dikush prej anëtarëve që duhet me qenë akter votën time do ta kenë ‘për’, por e kemi vetëm një problem, problemin e kemi me katër persona një e largon ligji, realisht Kolë Berisha, sepse ka ndërruar jetë, edhe tre nga ata i kemi të pamundshëm t’i intervistojmë megjithatë unë kisha propozuar dhe kisha kërkuar mirëkuptim që të mos përfshihen në listë tani” deklaroi Beqa.

Këtë e kundërshtoi deputeti i LVV-së, Arber Rexhaj, i cili insistoi se këta emra duhet të mos largohen nga lista e dëshmitarëve. Ai ka shtuar se të gjithë bartësit e institucioneve, përfshirë edhe Glauk Konjufcen do të ftohen për intervistim.

Rexhaj: Për hir të transparencës në listë të përfshihen edhe ata që janë në Hagë

“Unë pajtohem plotësisht me atë se çfarë thatë ju, për motivet dhe veprimet që janë në Hagë, mirëpo për hir të procesit, për hir të transparencës, mendoj që ata duhet të jenë në listë se a kemi pastaj mundësi, apo nuk kemi, është çështje a na del apo nuk na del përpara, në fillim ta bëjmë një listë transparente dhe mendoj që të gjithë duke përfshirë mua, deputetët e Vetëvendosjes, të gjithë pa dallim të përfshihen në listë”, tha Rexhaj.

E votë për këtë listë nuk ka Rashit Qalaj, i cili ka thënë se është duke u humbur kohë, e që kanë mbetur edhe vetëm katër muaj deri në një epilog përfundimtar.

Qalaj: Vota ime është kundër për personat të cilët gjenden në Hagë

“Jemi duke humbur kohë, realisht gati po i bëjmë dy muaj nga themelimi i këtij komisioni, na mbetet edhe katër muaj punë efektive me shumë punë, dokumente të shumta, emrat e propozuar në lista, edhe unë mendoj që ne duhet për shkak të funksionimit më mirë të shkojmë me propozime konkrete, edhe në votim, edhe ajo çështja për të cilën nuk kam ndërruar qëndrim, mund ta votojë komisioni, vota ime kudo që emrat përfshihen për njerëzit që janë në Hagë është kundër” ka thënë Qalaj

Kërkesë për të marrë përgjigje nga ish-krerët e UÇK-së që janë në Hagë, ka kërkuar Halil Thaçi nga VV-ja i cili mendon se duhet të dërgohen pyetje tek këta të fundit që të marrin përgjigje.

Thaçi: Të gjendet një formë se si të marrim përgjigje nga personat të cilët janë në Hagë

“Nuk është asgjë e keqe edhe nëse në listën tonë për intervistim janë edhe personat të cilët nuk janë në Kosovë mendoj që nuk është as e turpshme, as nuk është gabim sepse ata njerëz kanë bartur institucione dhe kanë qenë në kohën kur janë marrë shumë vendime për vendin, mirë është edhe ata sigurisht do ta gjejnë një formë se si të përgjigjen, është mirë që atyre mos t’ju hymë në hakë sepse kanë qenë bartës të institucioneve” ka thënë Thaçi.

Time Kadrijaj nga AAK ka thënë se po humbet kohë duke diskutuar çështjen e listës së dëshmitarëve, pasi Lëvizja Vetëvendosje po këmbëngul në qëndrimin e saj.

Kadrijaj: Duhet të jemi më praktikë

“Komisionin e kaluar kemi debatuar për këtë temë, po tash po shohim se edhe ju (PDK) edhe Vetëvendosja po ngelni në ato qëndrimet paraprake, ju po kërkoni që ata të largohen, që edhe unë pajtohem që të largohen për arsye të situatës dhe për arsye që nuk mund të jenë këtu dhe këta po insistojnë për me qenë mendoj që duhet me qenë më praktikë”, tha ajo.

Gjatë këtij komisioni është diskutuar edhe për votimin e emrave të ekspertëve të cilët do të hetojnë të gjitha dokumentet ligjore dhe të institucioneve që dyshohen për keqpërdorim të energjisë për këto vite. Komisioni ka marrë vendim që të krijohet një grup punues për ti përzgjedhur këta ekspert që të mos ketë konflikt interesi.

Sipas kryesuesit të këtij komisioni, Hajdar Beqa, të gjitha materialet e kërkuara për hetime nga institucionet, përfshirë edhe kryeministrin, i kanë pranuar, vetëm Korporata Energjetike e Kosovës ka dërguar rreth 6 gigabajt material për hetim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat