Dy komisione të kuvendit, kundër qëndrimit të Varhelyit për udhërrëfyesin

Aktuale

Dy komisione të kuvendit, kundër qëndrimit të Varhelyit për udhërrëfyesin

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 19:19
Kuvendi i Kosovës

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe Komisioni për Integrim Evropian të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nëpërmjet kësaj deklarate të përbashkët kanë bërë të ditur se kundërshtojnë çfarëdo udhërrëfyesi, hapa shtesë apo rivlerësim të kritereve për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Komisionet e quajnë të papranueshme deklaratën e Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili ka përmendur një udhërrëfyes shtesë për të adresuar çështjet specifike.

“Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Kosovës që së bashku me shtetet anëtare, të vendosim një udhërrëfyes për adresimin e shqetësimeve specifike. Autoritetet e vendeve anëtare, agjencitë e rendit dhe ligjit, forcat e policisë kanë nevojë të angazhohen në terren për t’i ndihmuar Kosovës. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t’i japim Kosovës gjithë ndihmën financiare, teknike dhe politike për këtë proces”, pati thënë Varhelyi.

Mes tjerash, dy komisionet paraqesin edhe nevojën urgjente për heqjen e vizave.

“Për më tepër, deklarata e Komisionerit të BE-së është në kundërthënie të plotë me Raportin e fundit të publikuar të Komisionit Evropian, në vitin 2018, në të cilin raport është rikonfirmuar që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret sa i përket procesit të liberalizimit të vizave. Shfrytëzojmë nga rasti që të paraqesim nevojën urgjente që të bëhet heqja e regjimit të vizave pa vonesë dhe që jemi të gatshëm të adresojmë çfarëdo pyetje që mund të ngritet drejt realizimit të shpejtë dhe urgjent të rekomandimit të Komisionit Evropian të vitit 2018 për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si evropianët e vetëm që nuk e gëzojnë këtë të drejtë” thuhet në deklaratën e përbashkët të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat