Mblidhet Qeveria, merr dy vendime

Aktuale

Mblidhet Qeveria, merr dy vendime

Më: 6 korrik 2022 Në ora: 19:40
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar dy vendime.

Me vendimin e parë është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për Studimin e Fizibilitetit dhe Projekt-Idesë për Lidhjen Hekurudhore Durrës-Prishtinë.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i procedurave dhe ndarja e kostove ndërmjet palëve për financimin e Studimit të Fizibilitetit të këtij projekti, gjegjësisht për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ndërsa vendimi i dytë i miratuar në këtë mbledhje, ka të bëjë me Projektin “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”, për autorizim të Ministres së Ekonomisë nga Presidentja e Republikës së Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëfinancimit dhe Marrëveshjes për implementimin e Projektit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Në njoftim u tha se Qeveria e Kosovës ka përfunduar me sukses negocimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit dhe Marrëveshjes për Implementimin e projektit “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”.

“Objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen. Objektiv tjetër i projektit është dhe ndërtimi i kapaciteteve në fushën e energjisë dhe ngritja e punësimit të grave në këtë fushë”, thuhet në komunikatën e ZKM-së, dërguar mediave.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat