Kurti priti në takim Bordin e ShSKUK- së

Aktuale

Kurti priti në takim Bordin e ShSKUK- së

Më: 9 gusht 2022 Në ora: 13:54
Foto nga takimi

Kryeministri Kurti takoi krerët e shëndetësisë në Kosovë me të cilët bisedoi rreth sistemit dhe shërbimeve shëndetësore, reformave dhe fuqizimin e klinikave e spitaleve.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, Zëvendësministren e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dhe Bordin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ku diskutuan për vështirësitë e sfidat në sistemin shëndetësor. Në një takim të gjatë u shqyrtuan këto gjashtë tema kapitale: 

1) Ndarja dhe bashkëpunimi publiko-privat në sektorin e shëndetësisë.

2) Sistemi Informativ Shëndetësor dhe sigurimet shëndetësore.

3) Reforma e sistemit shëndetësor, në veçanti e ShSKUK-së, për fuqizimin e QKUK-së, të spitaleve rajonale dhe kujdesit parësor shëndetësor.

4) Raporti i sektorit publik të shëndetësisë, si shërbim e kujdes profesional me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit, si vatër e kërkimit, hulumtimit dhe studimit shkencor. 

5) Nevoja për Spitalin rajonal të Prishtinës. 

6) Raporti i MSh-së dhe ShSKUK-së me pesë odat e profesionistëve shëndetësorë: të mjekëve, të infermierëve, të stomatologëve, të farmacistëve dhe të fizioterapeutëve’, thuhet në njoftim. 

Është bërë e ditur se Kurti ka shprehur zotimin e tij për mbështetje të sektorit të shëndetësisë dhe për angazhim të shtuar në këtë fushë tejet të rëndësishme për shëndetin, jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat