Nuk i tremb Rusia, as Serbia, por Qeveria / Serbia po kërkon bazë të re ushtarake ruse, ‘avokatët e Beogradit’ heshtin!

Aktuale

Nuk i tremb Rusia, as Serbia, por Qeveria / Serbia po kërkon bazë të re ushtarake ruse, ‘avokatët e Beogradit’ heshtin!

Nga: Idriz Morina Më: 10 gusht 2022 Në ora: 19:17
Foto ilustrim

Askush nuk pipëtin, që Serbia don ta vendosë një bazë re ushtarake të Rusisë.

Institucionet të trembura nga opozita dhe nga pseudoanalistët, të cilën gjithë energjinë dhe hovin e marrin, pikërisht duke i goditur politikat e institucioneve me “plumbat” e Serbisë, duket se nuk e kanë fare problem, që t’i zëvendësojnë ata me veshje ruse.

Diplomati nga Shqipëria, Shaban Murati, ka alarmuar me një shkrim të tij, duke analizuar jo vetëm deklaratën e ambasadorit të Rusisë në Serbi, Aleksandër Bocan-Harçenko, të bërë dy ditë më parë, se Rusia do të ndërtojë një bazë të re ushtarake në Serbi, por edhe jehonën që ia kanë dhënë mediat ruse.

Policia i njeh bashkëpunëtorët e bandave serbe

Derisa kritikët, nga politika dhe mediat, nuk lënë gurë pa lëvizur për të goditur institucionet, se nuk po i bindet bashkësisë ndërkombëtare, që të bëjë marrëveshje me Serbinë, heshtin për të gjitha veprimet e Serbisë, ose tërhiqen pas deklarimeve, siç ndodhi me 31 korrik, kur Serbia i kishte urdhëruar strukturat kriminale serbe në Kosovë të mobilizoheshin.

Sipas hetimeve policore, dihen emrat e shumicës së bashkëpunëtorëve shqiptarë me bandat serbe në veri, që nga firmat e ndërtimit, deri tek bizneset e trafiqeve, duke filluar nga ilaçet tek armët, nga nafta te droga!

Kjo simbiozë është krijuar pikërisht nga rrahagjoksit e patriotizmit, që jo vetëm se u morën me uzurpime, me pasurime të paligjshme, por edhe me likuidime të patriotëve. Ata vërtetë mund të ndihen krenar, sepse asnjëherë nuk u goditën nga drejtësia! Por, Zoti nuk harron!

Është e habitshme, se si edhe një figurë e respektuar për luftën që ka bërë, por edhe i akuzuar rëndë për krimet e kryera në rajonin që e komandonte, në një mënyrë i qorton institucionet e Kosovës, se përdorin retorikë që mund të nxisë luftë.

“Angazhim për qëndrime të përmbajtura pas takimit të 18 gushtit dhe në asnjë mënyrë retorikë luftënxitëse”, ka shkruar Ramush Haradinaj gjatë ditës në faqen e tij në FB.

Sigurisht se ai nuk arrin dot t’i lexojë vërtetë shkrimet që e qartësojnë të kundërtën, por kjo është dëshmi, se këshilltarët e tij janë të dobët dhe qëllimkëqij, të cilët më shumë e duan pushtetin se Kosovën!

Me këtë deklaratë ai nuk dallon shumë apo fare pak nga ajo që pohon i ashtuquajturi drejtor i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili të mërkurën tha se e vetmja që din të bëjë kryeministri i Kosovës është "nxitja e luftës duke udhëhequr politikën...”.

Pra, ai dhe të tjerët nuk dallojnë aspak në ligjërimin e tyre nga ai serb.

Image
Bllokimi i rrugëve nga serbët

 

Por, pse po ndodhë kjo?

Bashkëveprimi i grupeve kriminale serbe dhe shqiptare, mori vëmendje më të madhe, kur në fund të vitit të kaluar SHBA-ja publikoi një listë me emra të një bande kriminale ndërkombëtare serbe me bazë në veri. Në krye të saj, doli të jetë Zvonko Veselinoviçi dhe zëvendës Milan Radojçiqi, nënkryetar i Listës Serbe, parti kjo radikale serbe, dhe që kontrollohet nga banda e përmendur, që po ashtu së bashku kontrollohen nga Serbia.

Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, në vendimin e publikuar më 8 dhjetor, saktësohet se grupi ndërkombëtar i krimit të organizuar ka komplotuar me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, si ryshfet ndaj zyrtarëve të sigurisë, për t’ua lejuar kontrabandimin me Serbinë nga fillimi i vitit 2019, pastaj akuzohet për dhënie të ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’ua lejuar kontrabandën.

Sipas të dhënave të Departamentit amerikan të Thesarit, nënkuptohet se në këtë rrjet janë të përfshirë zyrtarë serbë dhe shqiptarë.

Fakti që ky grup kriminal ka vazhduar të fitojë tenderë, nga gushti i vitit 2018 e deri në shtator të vitit 2021, duke arritur vlerën prej gati 9 milionë euro, është dëshmi se grupi kishte bashkëpunëtorë jo pak shqiptarë, madje që punojnë në Qeveri, por ende nuk kemi dëgjuar për shkarkimin e askujt!

Kështu, vetëm kompania “RAD”, e cila, sipas REL-it, ka qenë e regjistruar me dy adresa të ndryshme në Zveçan, ku pronar formal është biznesmeni serb, Radulle Steviq nga veriu i Kosovës, ka fituar 61 tenderë, të gjithë të financuar nga buxheti i Qeverisë së Kosovës.

Pronari i kësaj kompanie ndodhet po ashtu në listën e zezë, përkatësisht të të sanksionuarve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pra, kjo shpjegon se për 5.6 milionë euro, janë disa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe nëpunës të saj, që nuk kanë dhënë përgjegjësi, kohë që përkon me qeverisjen e Ramush Haradinajt.

Ramush Haradinaj kishte krijuar një lloj afrie nëse jo miqësi me Radojçiqin, që besohet se një takim që pat në restorantin “Tifani” në Prishtinë, i parapriu ardhjes së tij në krye të Qeverisë. Ai pas atij takimi me votat e “Listës Serbe” më 9 shtator 2017 bëhet kryeministër, pasi me Listën serbe e ndërtoi koalicionin qeverisës, duke e bërë të varur Qeverinë, jo vetëm nga kjo parti radikale, por edhe nga Serbia, sepse ata nuk e votuan Qeverinë, pa shkuar në Beograd për ta marrë bekimin e Vuçiqit.

Goditje e re për mbështetësit e Rusisë dhe të korruptuarit

Për Listën e zezë të SHBA-së ishte shprehur edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke saktësuar: “këto sanksione shënjestrojnë autorët e korrupsionit, në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 13818”, që mbështetet në Aktin Global të Përgjegjshmërisë për të Drejtat e Njeriut, i njohur edhe me emërimin, Akti Magnitsky.

SHBA-ja është duke e përgatitur një ligj të ri me të cilin godet korrupsionin dhe u mundëson ndihmë të drejtpërdrejtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu me atë ligj do të goditen edhe ata që destabilizojnë rajonin apo cilindo vend, duke mbështetur p.sh. interesat ruse.

Shpresojmë, që me miratimin e këtij ligji do të identifikohen edhe shqiptarët edhe mediat, të cilat financohen apo marrin mjete nga vetë shërbimet ruse apo të ndërmjetësuara nga kompani, që kanë lidhje dhe bëjnë biznes me rusët, aktualisht në fshehtësi.

Ndërsa, ata politikanë dhe ish-zyrtar të lartë, që heshtin qoftë edhe vetëm për propagandimin e ndërtimit të një baze të re ruse, shpresojmë të hetohen për të kaluarën e tyre dhe të tashmen, nga pasurimi tek komunikimi.

Image
Një kamionë-cisternë në barrikadën në Rudarë, pronë e ‘komunës paralele’ të Zubin Potokut, me targa të Beogradit.
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat