Kosova për herë të parë merr pjesë në takimin e forumit të ri evropian

Aktuale

Kosova për herë të parë merr pjesë në takimin e forumit të ri evropian

Më: 2 tetor 2022 Në ora: 15:28
Foto ilustrim

Kosova dhe 16 shtete të tjera jo anëtare të Bashkimit Evropian janë ftuar që të marrin pjesë në takimin e parë të forumit të ri evropian, Bashkësisë Politike Evropiane, që do të mbahet më 6 tetor në Pragë të Çekisë. Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtar e vlerësojnë të rëndësishëm pjesëmarrjen e Kosovës në këtë forum.

Kosova për herë të parë do të merr pjesë në takimin e  forumit të ri evropian, Bashkësisë Politike Evropiane.

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare i kanë thënë Radio Kosovës së kjo është një mundësi e mirë për Kosovën. 

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka deklaruar se me këtë ftesë qëndrimi i Bashkimit Evropian po ndryshon karshi Kosovës.

“Ftesa për Kosovën për të marrë pjesë në forumin “Bashkësia Politike Evropiane”, është jashtëzakonisht pozitive, sepse po shihet që qëndrimi i BE-së ndaj Kosovës dal nga dal po ndryshon në aspektin pozitiv. Aty nuk pritet me u marr vendime, mirëpo është forum që i ofron vendet të cilat në të ardhmen e afërt  do të jen vende kandidate që t’i harmonizojnë politikat dhe standardet e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Arifi

Profesori i diplomacisë dhe negocimit ndërkombëtar në Universitetin e Parisit, Valon Murtezaj, ka thënë për Radio Kosovën se kjo është një mundësi e mirë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve që janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe të tjerave që ende nuk janë anëtare.

“Mund të jenë disa përparësi në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve anëtare të BE-së me shtetet që për arsye të ndryshme ende nuk janë anëtare të BE-së, dhe këtu do të jen gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu edhe vendet e tjera që mund të kenë bashkëpunime ndërmjet shtetesh”, ka thënë Murtezaj.

Idenë për krijimin e Bashkësisë Politike Evropiane e ka paraqitur në maj presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Siç ka thënë ai, ky forum ka për qëllim të lehtësojë shkëmbimet midis shteteve të BE-së dhe atyre që janë jashtë bllokut, përfshirë edhe ato që aspirojnë anëtarësimin në BE. Macron ka thënë se shpreson që ky forum të ndihmojë në përmirësimin e bashkëpunimit me partnerët e BE-së në Evropën duke iu referuar Ukrainës, e cila më herët gjatë këtij viti mori statusin e vendit kandidat. Megjithatë, edhe Franca, por edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili ka mbështetur Bashkësinë Politike Evropiane, kanë thënë se ky forum nuk duhet të jetë alternativë e zgjerimit të BE-së.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat